Nuk ka dyshim që “djegia e mandateve” po përdoret si tërheqje litari, ku provohet më së tepërmi fuqia e muskujve të palëve ndërluftuese.
Por çfarë thotë Kodi Zgjedhor në rast se opozita do të çojë deri në fund këtë skenar? Tirananews.al është interesuar për këtë vendim ku rezulton se fitues nëse opozita do e çojë deri në fund këtë skenar do të jenë vetëm aleatët e PD dhe të LSI.
Sipas Kodit Zgjedhor, kur përfundon lista e kandidatëve për deputetë brenda një force politike, i lind e drejta partisë së radhës brenda koalicionit me herësin më të madh. Pikëpyetja në këtë rast do të ishte nëse Basha dhe Kryemadhi besojnë realisht se edhe aleatët e tyre nuk do i tradhtojnë dhe të fitojnë mandatet. Nga ana tjetër, edhe brenda partive të tyre, kandidatët që mund të fitojnë mandatin e deputetit, mund të mos pranojnë të dorëhiqen duke kaluar me PS. Kjo do e nxirrte blof opozitën nga ana numerike, pasi debati i vetëm do të ishte më pas ai moral lidhur me mandatet.
Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi i vakancës
1. Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të
Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës.
2. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike
në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk aplikohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar.
3. KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 ose 2 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike.
4. Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë. Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë. / tirananews.al