Nga Artur Ajazi

Partia Demokratike ka mbi 10 ditë që ka ndërsyer skalionet e saj “antikomuniste” të merren me fotografitë në bulevard, duke shpikur dhe sajuar lloj-lloj histori mashtrimesh me “heronj, gogolë, zaptues dhe mashtrues”, por që në fakt asgjë prej tyre nuk ka lidhje me realitetin e një lufte çlirimtare, që na rreshtoi në sytë e botës mbarë, fitimtarë. Ish-opozita e vetmuar dhe pa asnjë përkrahje, ka nxjerrë nga strofulla e tyre, të gjithë arsenalin e saj, për të kryer baltosjen, verifikimin, dhe mohimin e çdo heroi, që dhënë jetën në periudhën 5 vjeçare të luftës çlirimtare.

Të yshtur nga celula më famëkeqe e ish-komunistëve, që dikur të bënin namin, madje edhe të denonconin për basetat e gjata dhe pantallonat kauboj, PD e sot e mbetur në mentalitet mbi 150 vjet mbrapa, i është sulur çdo vlere që lidhet me kombin, i është sulur heronjve, dhe po i “denigre de valeurs” ata, edhe pse dikur dhanë jetën kur ishin jo më shumë se 20 vjeç. I është sulur fakteve e dokumentacionit historik të arkivave vendase dhe atyre të huaja, që lidhen me epopenë më të lavdishme të historisë kombit, me luftën çlirimtare.

Eshtë e pamundur dhe e pakonceptueshme të mendosh se si, një parti politike që pretendon se “çështjen kombëtare e ka në plan të parë” të merret me foto heronjsh, të mohojë gjithçka kanë bërë ata bij nënash, për luftën çlirimtare. Një parti që gënjen vehten (dhe jo më shqiptarët) se është për bashkim kombëtar, për paqëtim mes shqiptarëve, e profka të tjera, sot e gjithë ditën merret me heronjtë e kombit.

Në Partinë Demokratike nuk i duan heronjtë, nuk i duan çlirimtarët, nuk i duan patriotët, nuk i duan vlerat e çmuara të këtij vendi, por duan të ngrejnë (siç kanë bërë deri sot) në piedestal kolaboracionistët, ata që punuan me zell të padëgjuar, me pushtuesin si në asnjë vend tjetër në Europë. Në SHQUP, duan miqtë, dhe puthadorët e zaptuesit, duan ata që vranë dhe grabitën gjatë luftës çlirimtare fshatarë të pafajshëm, duan ata që ja mbathën pas 29 nëntorit maleve dhe jashtë vendit bashkë me pushtuesin.

Përse vallë kjo histeri ndaj fotografive, ndaj heronjve, ndaj vlerave tona të çmuara kombëtare, përse gjithmonë Partia Demokratike rreshtohet në krahun e humbësit, në krahun e bashkëpunëtorëve të zaptuesit, përse rreshtohet kundër çdo lufte çlirimtare, të jetë rastësi vallë ? Rezulton se nuk është asgjë rastësi, po të kemi parasysh kaosin që PD ngriti në mëndjet e shqiptarëve, duke u marrë për 20 e ca vjet me 28 dhe 29 nëntorin, duke u marrë me mohimin e luftës çlirimtare, dhe duke dekoruar gjithë bashkëpunëtorët e italianëve dhe gjermanëve nga 1939 deri 1944.

Nuk është rastësi, njollosja e heronjve, kur kujton se çdo bashkëpunëtor aktiv i italianëve dhe gjermanëve dhe që ka vrarë shqiptarë të pajafshëm, është dekoruar nga ish-presidentët e SHQUP-it. Një badërrdi e madhe, tek lexon listën e gjatë të atyre që janë dekoruar me medalje “trimërie dhe demokracie” nga ish-kukullat e SHQUP-it, me urdhër të Doktorit, duke mohuar vlerat, luftën dhe jetën e atyre që nuk e dinin fare çfarë ishte komunizmi, por morën pushkën dhe dolën malit për liri. Kjo ka sjellë përçarje, dhe nuk ka qenë e “rastësishme” por kryekëput e qëllimshme, nga një parti që nuk ka qenë, dhe nuk është e djathtë, nga një forcë politike që më tepër se çështjen kombëtare dhe paqëtimin mes shqiptarëve, ka patur “merak” paprekshmërinë e interesave klanore dhe pasurive të sheikëve të saj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here