Duhej të ishte një natë feste në një mbrëmje të organizuar nga Franc Bekenbauer për fondacionin e tij bamirës, por të gjithë të ftuarit sot kanë mbetur të tronditur kur legjenda e futbollit gjerman ka treguar se ka kaluar një periudhë shumë të vështire të jetës së tij këto ditë. 73-vjeçari vuan prej kohësh nga probleme shëndetësore dhe ka bërë dy operacione në zemër në vitet 2016 dhe 2017.
“Kam pasur probleme shëndetësorë kohët e fundit. Kjo është e ditur nga të gjithë. Por së fundmi isha në një klinikë speciale, pasi kisha probleme dhe u saktësua që ato vinin nga qarkullimi i gjakut në sy. Doli në fund që ishte një atak në sy. Tani nuk shoh thuajse asgjë me syrin e djathtë”, tha ish-futbollisti e trajneri i njohur gjerman para sallës që mbeti e heshtur.
Bekenbauer më pas u mundua që të qetësonte disi situatën pas kësaj deklarate. “Tani mos u inatosni me mua nëse nuk shoh ndonjë prej jush dhe e evitoj”, ishin fjalët e tij, që u shoqëruan me të qeshura mes të ftuarve