Urgjencës Kombëtare iu shtuan sot 32 mjete të reja me të gjitha pajisjet bashkëkohore, duke vendosur një standard të ri.
Gjatë aktivitetit të zhvilluar sot “Modernizim i Urgjencës Mjekësore”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se mjetet e reja janë të një standardi të ri ndërsa garantoi se investimet për modernizmin e shëndetësisë do të vijojnë.
“Ne tashmë jemi angazhuar në qasjen tonë universale në shërbimin e Urgjencës dhe jo vetëm. Por ky shërbim ende mbetet një pikë kritike ndaj këtë vit ne investuam aty ku kishim problemin më emergjent, në flotën e automjeteve. Por a është mjaftueshëm? Sigurisht, e mira nuk ka fund aq më shumë në shëndetësi, ku teknologjia ndryshon çdo ditë, patjetër që pritshmëritë janë shumë të larta. Por, ajo çfarë mund të themi është që ky investim i ri me 32 mjete motorrike që nuk janë vetëm mjete motorrike, por janë 32 njësi shërbimi mjekësor të pajisura me të gjithë ato aparatura jetëshpëtuese që i duhet çdo mjeku apo infermieri në njësinë e tij mobile. Ndaj, çdo autoambulancë materialet e ndihmës së parë, janë sipas standardeve bashkëkohore”, tha ministrja.
Sipas Manastirliut, flota e shtuar e autoambulancave e shtrirë në qendrën e Koordinimit të Urgjencës në të gjithë qarqet e vendit, do të ndikojë jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimit që do të ofrohet në territor, por mbi të gjitha do të garantojë një standard të ri në kohën e marrjes së shërbimit të Urgjencës.
Sipas saj, tanimë falë shpërndarjes së autoambulancave në disa pika kryesore në të gjithë vendin, çdo qytetar në zonat urbane e merr shërbimin brenda 16 minutave dhe 20 për zonat rurale.