Situata në Qafën e Muzinës në Gjirokastër është nën kontroll dhe mjetet mund të kalojnë pa asnjë lloj problemi, duke mos përdorur zinxhirët.
Edhe pse reshjet e borës ishin jo të pakta në këtë aks rrugor, i cili bëhet mjaft i vështirë për t’u kaluar në periudhën e reshjeve, autoritetet lokale në bashkëpunim me nënkontarktorët kanë marrë të gjitha masat për të larguar dëborën nga rruga, duke e bërë të sigurt për drejtuesit e automjeteve.
Autoritetet lokale dhe nënkontraktorët kanë marr të gjitha masat për kriposjen e akseve rrugore, si dhe Policia e Shtetit ka qenë e pranishme për orientimin dhe parandalimin e aksidenteve rrugore, masa të cilat u konfirmuan nga prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj .
“Situata në Qafën e Muzinës është normale dhe qarkullimi mund të bëhet pa zinxhirë dhe pa probleme për drejtuesit e automjeteve. Kompania nënkontraktore ka bërë kriposjen e aksit rrugor të Qafës së Muzinës dhe Policia ka qenë e pranishme për parandalimin e aksidenteve rrugore. Edhe pse situata është nën kontroll, ne jemi duke monitoruar për të marrë masa nëse moti përkeqësohet dhe temperaturat bien nën zero”, – u shpreh prefekti Aliaj për ATSH-në.
Edhe pse temperaturat kanë qenë të ulëta dhe nën zero, në të gjithë territorin e qarkut Gjirokastër situata është normale dhe pa probleme.