Qindra simpatizantë të PD-së i janë bashkuar protestës së thirrur nga PD-ja këtë të enjte.
Të revoltuar, ata ankohen për vështirësitë ekonomike. Rritja e papërballueshme e çmimeve i detyrojnë ata që të marrin borxhe për të siguruar jetesën.
Nga Peshkopia, një qytetar ka udhëtuar sot drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës që mbahet në Tiranë.
“Për 1001 gjëra protestoj. Çmimet janë rritur në stratosferë. Është minimum me marrë një vaj, le të tjerat me pensionet dhe rrogat tona. Nesër që është ditë bajrami njerëzit nuk marrin dot një kg mish. Jashtë shumë arsye që nuk mund t’i numërosh. E mbyllim muajin me borxhe. Asnjë send nuk ka. Blegtori nuk ka. Kryeministri të largohet sa më shpejt. Të hapë shpresën për këtë popull. Kushdo tjetër që të vijë ta bëjë më mirë”, u shpreh një protestues, i cili kishte ardhur nga Peshkopia.
Një tjetër qytetar ka treguar gjithashtu arsyet për të cilat i është bashkuar sot protestës, duke shpërthyer në akuza të forta ndaj qeverisë.
“I futi ministrat e vet në burg, Saimir Tahirin me shokë. I detyroi Rama që të mbillnin drogë. Bujqësinë e lanë pas dore. Po arrestojnë policët pse nuk keni parë parcelat e drogës. Policia është e frikësuar. Policët s’kanë marrë dietat. Shëndetësia falas thotë, spitalet janë përtokë. I ka bërë tunelet me polisterol që mos të marrë beton. E bëri tunelin e Rrugës së Arbrit me polisterol. Kërkon buxhet shtesë se kanë ndryshuar çmimet. Të çohen njerëzit të gjithë. U ka hequr ustallarëve mistrinë. Me mistri e lopata do çohemi të gjithë. Sali Berisha do e prijë përpara popullin”, tha protestuesi.
“Copë, copë e veç punojmë! Jetojmë kot pa pikë arsye! Me 300 mijë lekë rrogë cca të blejmë, atje në Berat kemi halle nga më të ndryshmet, plaka ime jeton me një pension minimal, si do ushqehet po të mos jemi ne? Duhet të ikin të gjithë këta plehrat këtu”, u shpreh një tjetër.