Po dukej sikur vera nuk do të vinte kurrë teksa muaji maj dhe fillimi i qershorit kanë qenë si një vjeshtë e vogël. Por ja që stina e nxehtë ishte pas dere dhe temperaturat u rritën menjëherë. Temperaturat kanë shënuar afërsisht 40 gradë Celsius këto ditë dhe i nxehti dhe vapa sjellin lodhje dhe stres, sidomos në momentet më të nxehta të ditës.
Por si ta përballojmë?
Si fillim, veshja duhet të jetë sa më e lehtë për të ndihmuar trupin të vetërregullojë temperaturën. Kryesisht veshje të gjera, natyrale, prej pambuku apo lini, për ta lënë lëkurën të marrë frymë lirisht. Përsa i përket ngjyrave, ato të hapurat të mbajnë më freskët, për shkak se siç e dimë reflektojnë dritën dhe nuk e përthithin. Harrojini veshjet me fibra sintetike dhe të ngushta, vetëm nëse do të duhet ti vishni patjetër nuk keni ç’të bëni. Ndërsa për këpucët, e dimë që shapkat dhe sandalet janë më të rehatshme.
Në shtëpi, nëse duam të përdorim kondicionerin, shfrytëzojmë orët e para të mëngjesit që është disi më freskët për të ajrosur shtëpinë. Më pas mbyllini dyert e dritaret për të shijuar freskinë e ajrit të kondicionuar. Nëse keni grila akoma më mirë, mbyllini ato për të mos hyrë brenda drita dhe nxehtësia. Madje në orët e pikut, kur jashtë është më nxehtë se sa brenda, këshillohet ti mbyllni dyert e dritaret. Përsa i përket freskueseve ato që vendosen në ambazhur janë më efektive.
Ushqimi ka një rol thelbësor në përballimin e vapës dhe të nxehtit. Kështu që në këto ditë nuk duhet të mungojnë në tavolinën tuaj frutat dhe perimet e freskëta, të pasura me kripëra dhe vitamina. Ndërsa ushqimet e skuqura me shumë yndyrë, të rënda, që nxisin ndjesinë e etjes, dhe nxehtësisë, si dhe pijet alkoolike bëni mirë ti shmangni në këto ditë. Akulloret dhe sidomos sorbeto janë fantastike për tu freskuar.
Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia. Uji është aleati më i mirë kundër vapës. Mos harroni minimalja duhet të pini dy litra ujë në këto ditë të nxehta. Freskoni duart dhe fytyrën shumë herë në ditë. Ndërsa në mbrëmje një banjë me ujë dhe kripë, apo meb bikarbonat lehtëson këmbët e lodhura gjatë ditës. Dhe një këshillë e fundit. Kur të bëni banjë kini parasysh që të përdorni ujë të vakët për të pasur efekt më të mirë të freskisë.