Gabriel Batistuta ka qenë për shumë vite një nga sulmuesit më të mirë e sigurisht më të mirë paguar në botë. Ish-futbollisti i Argjentinës dhe i klubeve si Fiorentina e Roma, ka shkëlqyer në karrierën e tij dhe ka fituar miliona euro, ndaj çdokush mund të mendojë se familja e tij nuk ka probleme ekonomike.
Por kohët e fundit në Argjentinë kanë zbuluar se djali i tij i vogël, Hoakin, punon në një qendër fotokopjesh, ndërsa edhe fëmijët e tjerë punojnë punë nga më të ndryshmet. Vetë Batistuta ka shpjeguar se nuk ka asgjë të keqe dhe cili është leksioni që u ka dhënë fëmijëve të tij për t’i shtyrë të punojnë si të gjthë të tjerët edhe pse nuk vuajnë ekonomikisht.
“Po, djali im punon në një qendër fotokopjimesh. Për mua, që fëmijët e mi të punojnë, është t’u dhuroj dinjitet, sidomos vetë atyre. Pasi po t’u jap makinën – unë mund t’ua jap pa probleme makinën – nuk di nëse do të ndjeheshin të lumtur, nuk e di se sa do t’u zgjaste kjo lumturi.
Pasi kur ata hipin në makinë, kalojnë në qendër të qytetit dhe i shohin vajzat apo njerëzit dhe thonë “Shihe çfarë makine”, ata e dinë menjëherë që makina nuk është e tyrja. E dinë që “të gjithë më shohin por makinën ma dhuroi plaku”.
Ndaj ka një shije tjetër kur ai të ecë me makinën më pak të bukur, por thotë ‘këtë e kam fituar vetë’”, tregoi Batistuta mënyrën se si kërkon që të rriten fëmijët e tij.