Ka nisur shpërndarja e bonusit të bebes në çdo maternitet të vendit.
Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila foli mbi procedurat që po ndiqen për dhënien e çekut të bebes.
“Lehtësojmë procedurat e regjistrimit të të porsalindurve me hapjen e sportelit të gjendjes civile në 37 maternitete, ku menjëherë mund të regjistroni fëmijën dhe të merrni çekun e bebes”, tha ministrja Manastirliu.
Nga 1 janari 2019, për çdo të porsalindur, familjet do të marrin 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë.
Janë rreth 30 mijë familje në Shqipëri që do të përfitojnë nga një fond për 20 milionë dollarësh, që ka vendosur në dispozicion qeveria në buxhetin e këtij viti.