Kryeministri Edi Rama paralajmëron se pas ndryshimit në kabinetin e tij qeveritar, në janar do të ketë ndryshime edhe në nivele të larta të administratës. Kreu i qeverisë mblodhi mëngjesin e së shtunës kryesinë e PS-së, ku foli lidhur me ndryshimet qeveritare dhe nevojën që kishte për rifreskim qeveria pas protestave të studentëve.
“Përtëritja e qeverisë do të pasqyrohet edhe në nivele të larta të administratës, ku përfshihen drejtorë të mëdhenj dhe drejtues rajonalë në qarqe”, mësohet të jetë shprehur Rama në mbledhjen e kryesisë së PS-së.
Në mbledhjen e kryesisë së PS-së, Rama vendosi të ndryshojë më shumë se gjysmën e kabinetit të tij. Nga 14 anëtarë të kabinetit të tij, kreu i qeverisë vendosi të ndryshojë 8 prej tyre. Përmes kriterit “5 vjet ministër”, Rama vendosi të largojë ministrat Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati, Lindita Nikolla, Mirela Kumbaro dhe Niko Peleshi.
Pavarësisht se nuk kishin 5 vite në qeveri, nga qeveria u larguan edhe zv/kryeministrja Senida Mesi dhe ministrja për Sipërmarrjen, Sonila Qato.
ZGJEDHJET
Në mbledhjen e kryesisë së PS-së, që zgjati për 60 minuta, Kryeministri Rama kërkoi që nga fillimi i janarit të nisë menjëherë puna për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Sipas burimeve, përmes një vendimmarrjeje të Kryeministrit Rama, është kërkuar që kryesia të mblidhet në mënyrë periodike çdo muaj deri në Kongresin PS-së të 23 marsit, ndërkohë që, sipas statutit, kryesia mblidhet një herë në dy muaj.
Drejtuesve politikë në qarqe u është kërkuar të rrisin kontaktet me bazën dhe të respektojnë afatet organizative dhe ato zgjedhore sipas vendimeve të Asamblesë Kombëtare. Përgatitja për zgjedhjet vendore në PS do të nisë që në ditët e para të muajit janar. Sipas një vendimi të kryesisë së PS-së mësohet që në 4 janar do të nisë mbledhja e këshillave të koordinimit në territor.
Këto takime do të jenë periodike deri në mbledhjen e Kongresit të PS-së në javën e tretë të muajit janar. Në Kongresin e PS-së, i cili është caktuar të mbahet në 23 mars do të prezantohen edhe kandidatët e së majtës për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Kryeministri Rama u shpreh në Asamblenë e PS-së se fitorja nuk duhet diskutuar në zgjedhjet vendore, duke theksuar se edhe ndryshimet në qeveri janë bërë në funksion të maksimizimit të rezultateve.