Prej pesë ditësh peshkatari Gëzim Seitllari rezulton i zhdukur por familja nuk ka ende trupin e tij. Polumbarët nuk do të vijojnë sot kërkimet për trupin e peshkatarit, për shkak të temperaturave të ulëta.
Familjarët dhe peshkatarët e zonës edhe sot kanë dalë për të kërkuar trupin e 53- vjeçarit, në breg të liqenit.
Që prej datës 31 dhjetor Gëzim Seitllari rezulton i humbur në ujërat e liqenit të Pogradecit. Familjarët e kanë kallëzuar në polici rastin që prej asaj dite por kërkimet për të nuk kanë dhënë asnjë rezultat, përveçse sendeve të tij personale dhe varkës, asgjë nuk u gjend në këto ujëra të ftohta.
Polumbarët nga Tirana kanë mbërritur në datën 2 për të nisur kërkimet për peshkatarin por as kjo datë nuk dha shpresë për familjarët.
Si rezultat i motit të keq data 3 dhe 4 janar nuk bëri të mundur kërkimin e trupit pasi për polumbarët është e papërballueshme zhytja në liqen. Kanë qenë pikërisht familjarët ata që dëshpërimisht kanë dalë në këto ujëra me varkat e tyre në bregun e liqenit.