Uruguai?!?! Ndodhet diku në Amerikën e Jugut më duket… Kjo ishte përgjigjja ime para se të shpërngulesha këtu,pikërisht në këtë vend që nuk e kisha idenë se ku ndodhej. Nëse dikush më pyet nëse e kisha menduar se do jetoja këtu, përgjigjja ime do ishte: s`ka shans,jo.
Historinë time të shpërnguljes këtu do e tregoj shkurt. Një vit pasi hyra të punoj në Kroçera apo Cruise Line njoha bashkëshortin tim të ardhshëm. Vazhduam të punojmë aty edhe për tre vite të tjera u martuam në të njëjtën anije ku u njohëm. Vendosëm që ishte koha të linim jetën dhe punën në “det” dhe të nisnim projektet tona në “tokë”. Por ky shkrim nuk është për jetën time personale por për ngjashmëritë dhe ndryshimet që kanë shetet tona. Nëse flasim gjeografikisht edhe pse Uruguaji ka një sipërfaqe prej 176.215km2 ka një popullsi prej 3.444.000 banorësh nga të cilët 1.3 milion jeton në kryeqytet. Edhe pse si siperfaqe është 6 herë me i madh se Shqipëria është një shtet që ka përafersisht të njëjtën popullsi si ne, me pak fjalë është një shtet i vogël nëse e krahason me shtetet e tjera të Amerikës se Jugut. Përveç Montevideos që është kryeqyteti, qyteti i dytë më i rëndësishëm është Punta del Este i konsideruar si Miami i Amerikës së Jugut. Në Uruguai nuk do gjesh male, ato male të larta e te bukura qe karakterizojnë Shqipërinë tonë. Gjuha zyrtare është spanjisht (castellano), ndryshon pak nga spanjishtja e Meksikës, Venezuelës dhe Kilit. Të dy vendet kanë një qytet me emër të përbashkët, Kolonjën.
Uruguai është Republikë Presidenciale, presidentin e zgjedh populli më të votimeve. Presidenti kryen dhe funksionin e kryeministrit. Ashtu si në Shqipëri edhe këtu parlamenti formohet nga “Të majtët” dhe “Të djathtët”. Por ndryshe nga ne, këtu konfliktet politike janë më paqësore dhe gjuha e përdorur le të themi është më diplomatike. Shumica e të ardhurave të shtetit vjen nga agrikultura. Uruguai eksporton sasi të mëdha të sojës,mishit dhe celulozës.
Duke patur parasysh që kam udhëtuar në shumë vende të botës, mund të them me siguri që Uruguai është i vetmi shtet që nuk jam kryqëzuar me asnjë shqiptar. Për këtë mund të ketë shumë arsye:
• Ekonomia gati e njëjtë me Shqipërinë. Të dy vendet janë shtete në rritje ekonomike dhe mundësitë e punësimit nuk janë të njëjta me ato të vendeve të zhvilluara.
• Largësia, edhe pse për këtë nuk jam shumë e sigurt. Në Australi ka shumë shqiptarë dhe largësia është pothuajse e njëjta.
• E vetmja Ambasadë Shqiptare në gjithë Amerikën e Jugut ndodhet ne Brazilia dhe nëse ke nevojë për pasaportë të re apo të legalizosh dokumente duhet të udhëtosh. Nga ana tjetër shtetasit shqiptarë për të hyrë në Uruguai kanë nevojë për vizë për të cilën duhet të shkosh në Romë, pasi në Shqipëri nuk ka ambasadë të Uruguait.
Por edhe pse shtetet tona janë shumë larg ajo çfarë më kujton më shumë Shqipërinë këtu është MIKPRITJA. Nuk do ndjehesh i huaj këtu dhe mund të them që Uruguaji ishte shteti i parë në eksperiencë personale, që mund të thoja lirshëm që jam nga Shqipëria dhe asnjëri nuk ndryshonte fytyrën. Edhe pse filmin “Taken” e urrej pasi ata që e kishin parë mendonin që jetojmë nëpër male. Por është për tu theksuar që në asnjë moment nuk ndjeva diskriminim, përkundrazi gjithmonë kishte interes për gjuhën dhe kulturën tonë. Uruguaianët janë njerëz shume të qetë dhe paqësore, jeta këtu është një jetë e qetë. Kjo qetësi ndryshon vetëm kur bëhet fjalë për futbollin. Futbolli është në çdo shtëpi në çdo banor. Uruguai ka një ndër ekipet më të mirë të futbollit në Amerikën e Jugut, me emra të njohur si Luiz Suarez, Edison Cavani, Diego Godin, Fernando Muslera etj. Numëron 15 Kupa të Amerikës dhe 2 Kupa të Botës.
Përsa i përket ushqimit ka disa për tu përmendur:
Mate– Është si kafja turke tek ne, në çdo rast në çdo shtëpi. Është një lloj caji me shije të hidhur që daton që para ardhjes së spanjollëve në Amerikën e Jugut.
Mishi i pjekur në zgarrë (Asado)-Është pjesë e çdo mbledhjeje familjeje apo mes miqsh.
Dulce De Leche– Është përafërsisht si qumështi Panda por jo kaq e ëmbël. Përdoret në çdo ëmbëlsirë ose mund të konsumohet me bukë.
Empanadas – Janë si kalcone , zakonisht mbushen me mish të grirë,spinaq me djathë ose djathë dhe proshutë.
“Chivito” (Çivito)- Është një lloj sanduiçi që brenda ka bërxollë viçi , proshtutë,sallatë,domate,kaçkavall,vezë të skuqura dhe shoqërohet me patate të skuqura.
Sa i përket kulturës , Karnavalet janë ato që e karakterizojnë Uruguain. Zgjasin një muaj nga Janari në Shkurt ( sezoni veror) dhe përfshijnë Candombe (kandombe) që është muzikë dhe vallëzime që janë të trashëguara nga skllavët e parë që erdhën. Murga, që janë grupe parodie zakonisht të përbëra nga meshkuj dhe Comparsa( komparsa) që janë grupe këngëtarësh dhe kërcimtarësh të cilët karakterizohen nga ngjyrat e theksuara. Tango dhe Milonga janë po ashtu pjesë e kulturës së Uruguait.
Këto janë disa të dhëna sa i përket jetës,ushqimit dhe kulturës këtu. Por lind pyetja pse zgjodha pikërisht këtë shtet për të jetuar dhe jo Shqipërinë. Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës kam vënë re se në çdo vend ka korrupsion, në çdo vend ka papunësi,ka të pasur dhe të varfër ,ajo çfarë ndryshon një shtet nga tjetrin janë mundësitë. Pikërisht mundësitë që shteti i ofron qytetarëve të vet është ajo cfarë bën dallimin. Uruguai në shumë aspekte mund të jetë i njëjtë me Shqipërinë, është një vend bujqësor ,jo shumë i pasur,një vend i vogël por ajo që bën ndryshimin janë mundësitë. Këtu nuk paguaj shërbim shëndetësor, nuk i paguaj mjekut dhe infermieres, nuk paguaj ekstra që të kujdesen për mua, as në spitalet private nuk ndodh kjo. Fëmijët e mi nuk duhet të paguajnë për të hyrë në universitet pasi arsimi është gratis, mundësitë e shkollimit janë të njëjta për të gjithë. Nuk duhet të pres orarin e ujit apo mos ndërpriten dritat . Më kujtohet herën e parë që çova bashkëshortin në Shqipëri ngelëm dy ditë pa ujë pasi kishin protestë të ujësjellësit.
Nuk të heqin nga puna sepse tjetër parti fitoi zgjedhjet pasi vendet e punës sigurohen në baze të rezultateve të pranimit dhe jo në bazë të partive. Nuk e di nëse në të ardhmen do jetoj këtu apo në ndonjë pjesë tjetër të botës ,por e di që këtu fëmijët e mi mund të kenë të ardhme. Kaluan 15 vjet që kur lashë Shqipërinë, dhe shoh që shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë. Nuk mund të jap një opinion objektiv pasi nuk jetoj aty. Shqipëria është kaq e bukur dhe ka kaq shumë për të ofruar i ka të gjitha mundësitë për të ecur përpara.
Nga Shqipëria në Uruguai ,në fund të botës thotë nëna ime, dy vende që janë kaq larg por që kanë kaq të përbashkëta, dy vende që janë pjesë e jetës sime dhe që pak e nga pak rriten, dy vende që do doja të kishin më shumë lidhje diplomatike, dy vende të vegjël por me zemër të madhe.
Ju përshëndes nga Uruguai!
Autore e shkrimit:
K. Arias*, shqiptarja e Carmelos në Uruguai
*Pas mbarimit të shkollës për gazetari dhe ushtrimit të këtij profesionin per tre vite, K.P.Arias kuptoi se bota kishte shumë më shumë për të ofruar se zyrat e punës. Me rrogën e gazetares nuk mund të udhëtonte nëpër botë ndaj aplikoi në Crocere. Dhe aty nisi aventura e cila kaloi nëpër shumë vende të botës dhe përfundoi në Uruguai