Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu deklaroi sot se Task-Forca antiCOVID ka intensifikuar kontrollet dhe monitorimet në terren sa i takon faktit nëse protokolli i sigurisë gjen zbatim në terren. Ministrja nga Vlora paralajmëroi bizneset se do të marrin 700,000 lekë gjobë deri në mbyllje aktiviteti, nëse nuk zbatojnë rregullat në zonat bregdetare.
“Task-Forca antiCOVID është duke punuar në të gjithë Shqipërinë, sidomos përgjatë zonave turistike, duke filluar nga Shkodra në Sarandë. Nuk ka tolerancë për askënd që shkel ligjin. Kemi miratur përsëri disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ, ku kemi vendosur masa administrative të shtuara për të gjitha ato subjekte, të cilët administrojnë stacione të plazhit apo subjekte akomoduese, masën me gjobë 700 mijë lekë dhe është vendosur masa e pezullimit në rast të përsëritjes së shkeljeve”,- tha Manastriliu.
Ministrja e Shëndetësisë kërkoi vigjilencën e të gjithë strukturave të Task-Forcës për respektimin e masave, për mbajtjen e maskave në transportin publik apo aktivitete të tjera me risk të lartë dhe kontrollet në aktivitetet që janë ende të ndaluara, si, klubet e natës apo grumbullimet masive.