Duke folur për politikën e jashtme në programin e qeverisjes Rama u ndal edhe tek iniciativa “Ballkani i Hapur” që sipas tij nuk është lojë e Serbisë, por “pjellë” e procesit të Berlinit.
Ai i është përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, duke thënë se nëse nuk na pëlqejnë vendimet e njëri-tjetrit ti diskutojmë vllazërisht, por jo duke i shpallur tradhtar ata që mendojnë ndryshe.
“Ballkani i Hapur nuk është lojë e Serbisë e as konsipracion rus e kinez, si nuk është asesi një devijim nga rruga e anëtarësimit në BE apo Procesi i Berlinit, janë përralla me gogola për t’u treguar pranë zjarrit digjital me një luftë nga kolltuku me një armik të deridjeshëm që Kosova, Shqipëria krejt populli shqiptar e kanë mundur përfundimisht si armik me luftëra reale. Sot e 20 e kusur vjet përpara falë SHBA, aleatëve më të mëdhenj europianë, dhe UÇK dhe udhëheqësve të saj. Foshnjat që lindën në atë luftë e që sot po bëhen djem e vajza për t’u martuar nuk ia kanë borxh politikës që luan luftash me Serbinë, as në Prishtinë e as në Tiranë, nuk ka borxh që Kosova e nxitur nga Tirana për politika që nuk kanë të bëjnë fare me kombin po me luftën elektorale këtu e atje, t’i humbasë në paqe si në një ruletë kazinoje politike ku bllofet për politikë të brendshme me politikën e jashtme pasojnë njëra-tjetrën të gjitha kreditet ndërkombëtare që janë fituar me gjak e punë të mundimshme diplomatike. E njëjta gjë vlen dhe anasjellas. Për Shqipërinë vendosin autoritetet e Shqipërisë dhe duhet t’i respektojnë vendimet tona. Nëse nuk na pëlqejnë vendimet e njëri-tjetrit t’i diskutojmë vllazërisht me mendje të hapur po kursesi t’i shpallim si tradhtar e konspiracionist, e filoserbe e nostalgjikë jugosllavë ata që mendojnë ndryshe”, tha ai.