Kur mund të quhet e izoluar dhe nën kontroll përhapja e koronavirusit në një vend? Kjo pyetje mundon prej javësh e muajsh mjaft ekspertë. Megjithatë, duket se tani një pjesë e mirë e tyre bien dakord se epidemia në një vend të caktuar mund të quhet nën kontroll në momentin kur numri i të infektuarve ulet për tre ditë radhazi dhe numri i të shëruarve, apo personave që dalin nga terapia intensive rritet në të njëjtën kohë.
Në këtë përfundim, që ashtu si shumë detaje të tjera rreth koronavirusit mbetet hipotetik, studiuesit thonë se kanë mbërritur duke analizuar të dhënat e bëra publike nga Kina, Koreja e Jugut, Japonia dhe Italia. Studimi, ekstrakti i të cilit është botuar në revistën “PNAS”, ka për autorë një grup shkencëtarësh britanikë, gjermanë, zviceranë, koreanë, japonezë dhe izraelitë.
Autorët kujdesen që për momentin të mos hiqet këmba nga gazi i masave kufizuese, distancimit fizik dhe i testimeve masive të popullatës, që i vlerësojnë si rrugët më efikase kundër koronavirusit deri më tani dhe më pas të mendohet për mundësinë e rikthimit në normalitet. Por, normaliteti i ri mund të jetë krejtë ndryshe nga realiteti para epokës së koronavirusit.
“Vetëm pas kësaj periudhe vende të caktuara mund të mendojnë për një lehtësim të masave kufizuese të distancimit fizik, por në çdo rast përmes hapave të kujdesshëm dhe të kontrolluar. Megjithatë, njerëzit, shtetet dhe institucionet e tyre duhet të përgatiten, që për një periudhë të gjatë testimet, mbajtja e maskave në publik, rregullat e higjienës personale dhe distancimi fizik do të jenë të detyrueshme”, thuhet në studim.
Studimi në fjalë vë në kujtesë atë që është thënë dhe stërthënë edhe në studimet e analizat pararendëse, që i druhen një vale të dytë pandemie, ndoshta jo në përmasat e pandemisë aktuale, por që gjithsesi të mjaftueshme për të futur edhe njëherë tjetër botën në çark.
Autorët thonë se me rihapjen graduale, ekziston mundësia që qeveritë dhe autoritetet të përqëndrohen më fort në përpjekjet për të rikthyer në normalitet balancat ekonomike dhe sociale, duke sakrifikuar në dëm të sigurisë shëndetësore të qytetarëve.
“Kjo duhet shmangur, pasi ulja e vigjilencës mund ta rikthejë pandeminë, ndoshta jo në nivelet aktuale, por që gjithsesi në nivele mjaftueshëm shqetësuese, sa për të menduar që bota nuk do të jetë më njësoj”, thuhët në ekstrakin e këtij studimi.
Studimi pritet që të publikohet i plotë në ditët në vazhdim dhe autorët thonë se ai mund të shërbejë edhe si një dokument këshillues me vlerë për të gjitha qeveritë, përmes tregimit të rrugës si të kufizojnë pandeminë dhe si duhet të dalin prej saj.