Juristja Brizida Gjikondi nuk i kurseu kritikat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin tha se po e përdor Partinë Demokratike për deklarata familjare
Në një intervistë në “Newsline” në ABC, ajo vlerësoi se Berisha vijon me mendësinë e sulmit dhe është mësuar që të bëjë krime.
“Ai do patjetër të ketë imunitet politik. Kemi korrupsion, Gërdecin, 21 janarin, klubin Partizani që afektojnë të dy fëmijët e tij, do ti duhet të ketë një koperturë politike që të mashtrojë shqiptarët. Berishës iu bashkuan para dy vitesh sepse i gënjeu mendja se do të kishte imunitet absolut. Edhe sot ai vazhdon me mendësinë e sulmit”, tha ajo.
Gjithashtu gjatë kësaj interviste, juristja tha se kallëzimi në SPAK i gjyqtares Irena Gjoka, vjen pasi në momentin kur nuk i bindesh, ai të bën kundërshtar.
“Ka kallëzuar sot një gjyqtare, pasi kur atij nuk i bindesh apo i zbulon të palarat ai do të të nxjerrë kundërshtar. Nën petkun e politikës është mësuar të bëjë krime kundër njerëzimit dhe nuk janë të pakta, po ashtu as edhe korrupsioni. Berisha nuk është destabilizues vetëm për Shqipërinë, por mendoj që tentakulat e Berishës në Kosovë apo Ballkan, nuk do të çuditesha që ndërkombëtarët një personazh destabilizues ta evitojnë për të mos hapur një vatër të re.”
“Berisha do të acarojë situatën, të ketë sa më shumë njerëz, popull opozitar në krah të tij për çështjen e tij. Politika shqiptare acarohet shumë kur i prek pasurinë. Kur i prek pasurinë këtyre i ke prekur palcën e kurrizit, pasi me anë të asaj pasurie arrijnë të blejnë pushtetin. Kjo shtyrje seance, kallëzimi për gjyqtaren, janë truke për ta zbehur situatën dhe për të ambientuar shqiptarët me të ligën.”