Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Matit, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama dhe e deleguara politike Belinda Balluku, kryebashkiaku Agron Malaj siguroi se investimet dhe projektet transformuese do të vijojnë dhe 4 vitet e ardhshme. Teksa falënderoi kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme, Malaj tha se Mati ka pësuar ndryshime rrënjësore.
“Në emër tuaj dua të them falenderime dhe shumë mirënjohje kryeministrit dhe qeverisë së tij ku në të vërtetë në këto 4 vite, ka qenë mbështetja kryesore e të gjithë punëve të mëdha që ne kemi bërë në Bashkinë e Matit. Ju e mbani mend para 4 viteve, si e gjetëm ne Matin, për të ardhur keq në çfarë lloj gjendje kishte përfunduar Bashkia , administrata, investimet , rrugët , shkollat, kopshtet, çerdhet. Në sajë të punëve tona, të punës dhe të mbështetjes së qeverisë, ne kemi arritur të bëjmë një ndryshim rrënjësor në Bashkinë e Matit. Ne sot nuk themi më ujë i pijshëm, nuk themi më rrugë, edhe pse ka ende shumë punë për të bërë, por ne të gjithë bashkë ia arritëm që të krijojmë një model, dhe ky model është modeli i punës, modeli I zhvillimit sepse vetëm ky model do ta çojë Bashkinë e Matit dhe Shqipërinë përpara”, tha ai.
Kryebashkiaku Malaj u shpreh se banorët e Matit e dinë mjaft mirë se cila është alternativa përballë.
“Unë ju jam shumë mirënjohës të gjithëve ju për gjithë bashkëpunimin e këtyre 4 viteve. Ju premtoj që puna ime në këto katër vitet e ardhshme do të jetë akoma dhe më e madhe, por kuptohet dhe me mbështetjen e kryeministrit dhe të qeverisë. Sepse Bashkia e Matit ka nevojë për mbështetje ju keni nevojë për mbështetje dhe shërbime. Për ata që ne kemi përballë unë s’dua të flas shumë sepse gjithsecili nga ju në këto 33 vite demokraci ka qenë dëshmitar mirë se kush janë, nga vijnë, ku kanë përfunduar. Ajo metodë që kanë nga vitit 91 e deri më sot I ka çuar në këtë gjendje që janë sot. Ju ftoj më 14 maj të votoni Nr. 2, por të votoni Nr. 2 Partia Socialiste e Shqipërisë”, theksoi Malaj.