Rasti i Behgjet Pacollit në Qeverinë e Kosovës mund të regjistrohet lirisht në Librin e Rekordeve ‘Guinness’.
Biznesmenit të shndërruar në politikan sot i ka ikur edhe një deputet, këngëtari Labinot Tahiri. Por, Pacolli që tashmë ka vetëm një deputet në Parlament si AKR, pa problem po vazhdon t’i drejtojë katër Ministri në Qeverinë e Kosovës.
Behgjet Pacolli po vazhdon të ketë hise të madhe në Qeverinë e Kosovës edhe pse fuqia e AKR’së në Parlament është zbehur. Me ikjen e Labinot Tahiri atij në kuvend i ka mbetur vetëm një deputet nga radhët e partisë së tij.
Por, me vetëm një deputet, të cilin e ka edhe kushëri, Pacolli vazhdon që në Qeverinë Haradinaj të udhëheq me katër ministri tepër të rëndësishme.
Partia e udhëhequr nga Pacolli drejton ministrinë e Punëve të Brendshme, atë Punëve të Jashtme, ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe atë Zhvillimit Ekonomik.
Duket se ky pazar i mirë i Pacollit ka qenë si rezultat i nevojës së madhe të koalicionit PDK-AAK-NISMA për katër deputetët që AKR-ja mori pas zgjedhjeve të 11 qershorit, që të sigurojë një shumicë të thjeshtë në Kuvend për ta mbajtur në këmbë Qeverinë, shkruan Gazeta Express.
Pas zgjedhjeve nga AKR-ja kishin arritur që të bëheshin deputet, Behgjet Pacolli, Korab Sejdiu, Islam Pacolli e Labinot Tahiri.
Korab Sejdiu ishte larguar rreth para një viti nga partia, pas disa përplasjeve që kishte pasur me disa prej udhëheqësve brenda AKR-së.
E grupin parlamentar të AKR-së, sot e ka braktisur edhe i shumëpërfoluri, Labinot Tahiri, i cili i është bashkuar grupit parlamentar të partisë së Ramush Haradinajt.
Duke bërë kështu që fuqia e partisë së Pacollit në parlamentin e Kosovës të tkurret në vetëm një deputet.
Pra Pacollit për dy vite në pushtet numri i ministrive i ka mbetur i njëjtë, ndërsa deputetët i janë avulluar, duke e lënë që këtë parti ta përfaqësojë në Kuvend vetëm kushëriri i tij, Islam Pacolli.
Gjatë këtyre dy viteve partia e Pacollit ka pasur luksin që t’i ndryshojë edhe dy ministra.
Pas shkarkimit të Flamur Sefajt nga posti i ministri të Brendshëm pas skandalit me deportimin e gylenistëve, në vend të tij Pacolli e ka dërguar të preferuarin e Labinot Tahirit, Ekrem Mustafën, dhe në vend të ish-ministres së Ambientit, Albena Reshitajt, ka emëruar zyrtarin e lartë të partisë së tij, Fatmir Matoshin.
Këtë luks në qeverinë Haradinaj për këto dy vite nuk e kanë pasur asnjë nga partitë më të mëdha se AKR-ja.
Kjo tkurrje e vazhdueshme e AKR-së ndërkohë kishte vënë në presion koalicionin qeverisës, i cili pas problemeve që i dolën me Listën Serbe, nuk po arrinte madje që të krijonte as kuorum në Kuvend.
Duke e parë gjithë situatën, pushteti kishte drejtuar sytë nga partitë opozitare.
Nuk dihet se me çfarë marrëveshje, por PSD-ja e Shpend Ahmetit, në fillim nuk bashkërendonte veprimet me LDK-në dhe VV-në, dhe ia bënte kuorumin pushtetit në Kuvend.
E më pas bashkëpunimi u thellua. PSD-ja votoi edhe për krijimin e grupit të unitetit për dialogun me Serbinë, pjesë e të cilit është edhe kreu i kësaj partie, Shpend Ahmeti.
Përveç kësaj, ndërmjet PSD-së dhe pushtetit shpërtheu edhe skandali i mesazheve që shkëmbenin brenda sallës së Kuvendit deputetët e Shpend Ahmetit me zyrtar të partisë së pushtetit, ku koordinoheshin se si duhet të flisnin dhe se si duhet mbanin premtimet.