Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, ka ngritur padi në Gjykatën Administrative dhe kërkon shfuqizimin e vendimit të Autoritetit të Dosjeve, ku konsiderohej si pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit.
Vendimi i Autoritetit të Dosjeve u diskutua gjatë në opinionin publik, ndërsa opozita ngriti akuza se Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme, Arta Marku, me qëllim, nuk kishte bërë verifikimet e duhura për Sheshin, duke e bërë atë anëtar të KLPsë, një nga institucionet më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë.
Padia e Sheshit është regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative, në datën 8 mars, ndërsa anëtari i KLP-së, i cili ka mohuar të ketë pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit, kërkon “shfuqizimin e aktit administrativ, Vendim nr. 12, datë 22.01.2019 i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.
Prokurori pretendon se akti në fjalë ka cenuar të drejtat dhe interesat e tij, ndërsa e konsideron konstatimin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit si të pavërtetë. Padia e Sheshit është pranuar dhe ka kaluar në gjykim në datën 28 mars dhe do të gjykohet nga gjyqtari Emiljano Ruli.
Ndërkohë, këtë të hënë, do të zhvillohet seanca e parë, e konsideruar si seancë përgatitore. Më herët, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, i kërkoi edhe Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që të korrigjojnë vendimin e tyre. Përmes një kërkese zyrtare, Sheshi kërkoi nga Autoriteti që të tërheqë vendimin e bërë publik, ku e cilëson si ish-sigurims, por mori një përgjigje negative.
PADIA PENALE
Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, në fund të janarit, iu drejtua Prokurorisë së Tiranës, duke ngritur padi penale ndaj Gentiana Sulës, kryetares së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Sheshi akuzon drejtue sen e AIDSSH-së, Gentiana Sula, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, të kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre si dhe të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Referuar kërkesëpadisë, Sheshi kundërshton përfundimin e nxjerrë nga Autoriteti i Dosjeve, duke e konsideruar si të qëllimshëm dhe si një goditje për shkak të funksionit të tij.
Ndërsa e mbështet pretendimin në tri argumente. Së pari, prokurori thotë se në vendimin e AIDSSH-së nuk përputhen gjeneralitetet. Së dyti, argumenton Sheshi në padi, edhe për personin që i referohet Autoriteti i Dosjeve, nuk plotësohen kushtet e parashikuara në ligj që ai të konsiderohet bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Kjo, pasi nuk ka një historik të veprimtarisë së tij.
“Pavarësisht këtij fakti, pra, pavarësisht se nuk ka të dhëna që personi me gjeneralitet e përmendura në pjesën arsyetuese, të ketë qenë aktiv, përsëri shënohet se ai është bashkëpunëtor”, shkruan prokurori në padi. Së treti, Bujar Sheshi shkruan se në vitin 1997, në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, KLD ka nxjerrë për të certifikatën e pastërtisë së figurës dhe nuk u konstatua diçka e tillë.
Çfarë konstatoi Autoriteti i Dosjeve
Me anë të një vendimi që mban datën 22 janar të këtij viti, Autoriteti i Dosjeve vuri në dijeni Prokurorinë e Përgjithshme, se anëtari i KLP, Bujar Sheshi, figuronte si pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit. Në vendim sqarohet se ata nuk kanë dokumente që vërtetojnë veprimtarinë e tij, por emri i Sheshit është në dokumente si bashkëpunëtor.
“Z. Bujar Sheshi, në kuptim të ligjit 45, të vitit 2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, figuron në dokumentet e Sigurimit të shtetit si bashkëpunëtor, seksioni V, drejtimi Inteligjencë-Rini, por nga verifikimet e deritanishme, nuk disponojmë dokumente që të vërtetojnë aktivitetin e tij; Z. Bujar Sheshi, në kuptim të ligjit 45 të vitit 2015, ‘Për të drejtën e informimit për dokumentet e ishSigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë’, figuron të ketë materiale në emër të tij, si anëtar, në dokumentet e sigurimit të shtetit, me detyrë hetues, në sektorin e Hetuesisë në Degën e Punëve të Brendshme të Fierit, që nga viti 1979″, shkruhej në vendimin e AIDISSH-së.