Bruno De Karvajo, ish-presidenti i Sporting Lisbonës, është akuzuar zyrtarisht për mbi 50 krime të ndryshme, mes të cilave edhe rrëmbim personi e terrorizëm, pasi urdhëroi 50 huliganë që të sulmonin lojtarët e tij gjatë stërvitjes.
Ngjarja e rëndë e 15 majit 2018, bëri shumë bujë në të gjithë botën, pasi huliganët hynë në ambientet e klubit duke dhunuar lojtarët e stafin, para se të shkatërronin ambientet e tij. Markos Akunja dhe Rodrigo Bataja ishin më të dëmtuarit, siç u zbulua më pas nga raportet policore dhe dëshmitë e lojtarëve. Ata ishin goditur me grushte e shkelma, ndërsa ishin kërcënuar edhe me jetë.
Sulmi u motivua me sezonin e dobët të ekipit në kampionat ndërsa prokuroria insiston se De Karvajo kishte urdhëruar një sulm të tillë. Gjykatësi i fazës së hetimit vendosi se kishte prova të mjaftueshme ndaj ka urdhëruar nisjen e gjyqit penal. De Karvajo u arrestua në nëntorin e vitit të kaluar, por u lirua pas katër ditësh.
Ai tashmë akuzohet për 56 krime të ndryshme mes të cilave rrëmbim personi dhe terrorizëm. Bashkë me të janë 43 persona të tjerë, huliganët e përdorur për këtë sulm, mes të cilëve Nuno “Mustafa” Mendes, lideri i grupit ‘Juventude Leonina’ i cili është një shok i vjetër i De Karvajo