Tërhiqet Armando Duka nga zhvillimi i zgjedhjeve të 2 marsit. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për shtyrjen e zgjedhjeve për kreun e FSHF-së dhe vendmit të sotëm për pezullimin e Armand Dukës nga funksionet, ky i fundit njofton se pranon shtyrjen e zgjedhjeve.
“Duke qenë dëshmitar të një procesi të ndërlikuar me debate e akuza, por edhe disa vendime gjyqësore, përfshirë dhe atë për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë që duhet të respektohen detyrimisht, unë do t’i propozoj dhe do t’i kërkoj Asambles që pikën e rendit e ditës për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtohen në një datë tjetër”, shkruan Duka.
Gjatë ditës së sotme, Gjykata e Tiranës ka pezulluar Armand Dukën nga ushtrimi i detyrës së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Burime nga gjykata bëjnë me dije se janë pezulluar nga detyra edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, Ardian Haçin.