Në orën 13.00 të kësaj të shtune, Shqipëria është një shtëpi e mbyllur, pa asnjë aktivitet jashtë shtëpive të qytetarëve.
Kryeministri Edi Rama në një apel në Facebook tha se ata që shkelin rregullat do të quhen tradhëtarë të luftës, ndërkohë që policia dhe ushtria do të përdorin edhe forcën. Nuk do të ketë më tolerim tha ai, madje as për pensionistët.
“Çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta sepse do u hiqet çdo ndihmë shtetërore, çdo lloj kompensimi nëse janë në kategorinë e atyre që duhet të rrinë në shtëpi se nuk shkojnë dot në punë, do u mohohet çdo lloj ndihme financiare për të paktën 1 vit nëse nuk kanë punë e duan ti prishin punë të gjithëve. Dhe pensionistët që thyejnë ligjin e luftës do të penalizohen. Një pakicë fare e vogël të pabindurish po që janë më shumë se të mjaftueshëm për të marr më qafë gjithë popullin, do të konsiderohen tradhëtarë luftë”, tha Rama.
Duke iu përgjigjur dhe komenteve të ndjekësve të tij në Facebook Rama tha se sot askush nuk kërcënohet nga vdekja për shkak të urisë, por për shkak të marrëzisë. “Sot askush nuk kërcënohet nga vdekja për shkak të urisë, po për shkak të marrëzisë. Fukarenjtë nuk kanë iPhone dhe dëngla për të shitur në Facebook e Instagram dhe janë sepse njoh më shumë se të gjithë ju shumë prej tyre, njerëzit më të mirëkuptueshëm të këtij vendi që po ndihmojmë deri në fund”, tha Rama.