Vaksinimi i bluzave të bardha vijon tashmë në të gjithë territorin.
Ditën e sotme po marrin dozat e vaksinës 150 pjesëtarë të bluzave të bardha në qytetin e Beratit, ndërsa këtë javë pritet të hapet edhe qendra e vaksinimit në Korçë.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ndoqi nga afër procesin e vaksinimit në Berat. Manastirliu theksoi se së bashku me të vaksinuarit e ditës së sotme, përmbyllen 10 mijë dozat e para.
“Shpresoj shumë që në ditët në vijim, pa u bërë ditët javë të tëra të kemi lajme të mira për rritjen e sasive edhe për shtrirjen intensive të vaksinimin. Duhet të përgatitemi sidoqoftë për të pasur një rrjet kapilar jo vetëm me Qendrat Shëndetësore, por të përfshijmë dhe ushtrinë, të përfshijmë dhe studentë të infermierisë, në mënyrë që gjithë këtë periudhë të pranverës ta kthejmë në një periudhë vaksinimi intensiv dhe t’ia dalim që të kemi një pozicion shumë lart në klasifikimin e vendeve për nga eficenca e bërjes së vaksinës.
Me ndihmën e Zotit besoj që do ia dalim më shpejt se sa vonë në këtë betejë të hatashme”, deklaroi Rama.