Varianti i koronavirusit i zbuluar në Afrikën e Jugut mund t’i shpëtojë vaksinës së Pfizer me BioNTech, sipas një studimi jashtë laboratorëve në Izrael, pavarësisht se norma e mbizotërimit në vend është e ulët.
Studimi, i publikuar në fundjavë, krahasoi thuajse 400 njerëz që ishin testuar pozitiv me Covid-19, 14 ditë apo më shumë pasi morën 1 ose 2 doza të vaksinës, kundrejt të njëjtit numër të pacientëve të pavaksinuar me sëmundje.
Mosha, gjinia dhe karakteristika të tjera ishin të ngjashme mes 2 grupeve. Varianti i Afrikës së Jugut, i njohur si B.1.351, u zbulua se përbënte rreth 1% të të gjithë rasteve në njerëzit e studiuar, sipas studimit të universitetit të Tel Avivit. Megjithatë, ndër pacientët që kishin marrë 2 doza të vaksinës, norma e prevalencës së variantit ishte 8 herë më e lartë krahasuar me të pavaksinuarit, apo në 5.4% kundrejt 0.7%.
Kjo tregon se vaksina është më pak efektive kundrejt variantit të Afrikës së Jugut, krahasuar me koronavirusin origjinal, apo variantin britanik, që përbën thuajse të gjithë rastet në Izrael.
“Ne zbuluam një normë joproporcionale dhe më të lartë të variantit afrikan tek njerëzit e vaksinuar me dozën e dytë, krahasuar me grupin e pavaksinuar. Kjo nënkupton se varianti afrikan ka mundësi, që deri në një pikë, të penetrojë përmes mbrojtjes nga vaksina”- tha Adi Stren, autore e studimit.
Hulumtuesit paralajmëruan se studimi kishte një normë shumë të vogël të të infektuarve me variantin afrikan, për shkak se është i rrallë në Izrael. Pfizer dhe BioNTech derklaun më datë 1 Prill se vaksinat e tyre ishin rreth 91% efektive në parandalimin e Covid-19, duke përmendur të dhëna të përditësuara në laborator, që përfshinin njerëz të vaksinuar deri në 6 muaj përpara.(scan)