Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e rëndë që ndodhi dje në Laprakë, ku pas një atentati me armë mbeti e vrarë 17-vjeçarja Briselda Gjikola dhe u plagos 23-vjeçari Erion Bengo.
Dy të rinjtë pak para krimit kishin konsumuar një kafe. Sapo kishin dalë nga lokali në këtë zonë, ishin drejtuar për tek makina, që e kishin parkuar diku mes pallateve, por pa ndezur makinën, pranë dy të rinjve u afruan dy persona të maskuar, ndërsa nisën të qëllonin me pistoletë në pjesën anësore të mjetit dhe më pas në pjesën e pasme.
Siç u raportua edhe dje, 17-vjeçarja ka marrë dy plumba në kokë. Dy të rinjtë njiheshin prej një viti, por të lidhur kishin vetëm pak javë. Ndërkohë, vetëm para një jave dyshohet se 23-vjeçari ka pasur një konflikt me një 19-vjeçar, që është shpallur në kërkim si autor i dyshuar i ngjarjes. Po ashtu mësohet se mollë sherri është bërë 17-vjeçarja.
NGJARJA
Krimi i rëndë ku mbeti e vrarë 17-vjeçarja Briselda Gjikola, dhe u plagos Erion Bengo ndodhi dje rreth orës 18:17 në Laprakë. Çifti, që ishte në një lidhje prej pak javësh, ishin në mjetin tip ‘Benz A Class’ më targë AA 226 MS, ngjyrë gri, kur dy persona të maskuar hapën zjarr ndaj tyre. Për pasojë të rinjtë u plagosën, ndërsa vajza ndërroi jetë në spital. Aktualisht Bengo ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ka marrë plumba në qafë dhe shpatull.