Presidenti i SHBA-së, Joe Biden në prag të 1 vjetorit të luftës ruse në Ukrainë, ka mbërritur në Kiev, në një vizitë surprizë. Kjo është vizita e parë e Biden në Ukrainë, ku fillimisht ishte presidenti Zelensky ai që u prit më 21 dhjetor 2022 në Shtëpinë e Bardhë. “Joe Biden, mirë se erdhe në Kiev! Vizita juaj është një shenjë jashtëzakonisht e rëndësishme e mbështetjes për të gjithë ukrainasit”, tha presidenti ukrainas, pasi priti homologun nga SHBA-ja në pallatin Presidencial.
Sipas Sky News, presidentët e SHBA-së dhe Ukrainës po diskutojnë furnizimin e armëve me rreze të gjatë dhe një paketë të re ndihme ushtarake. Sipas Zelensky, mbështetja ushtarake e premtuar nga Biden do të arrijë në 500 milionë dollarë, ndërsa më shumë detaje do të bëhen të ditura të martën.
SHBA-të kanë qenë ndër aleatët kryesore të Ukrainës që prej nisjes së luftës. Sasi të mëdha ndihmash ushtarake dhe humanitare janë dërguar drejt Kievit për të përballur agresionin rus. I gjithë qarkullimi i mjeteve është bllokuar në Kiev, për të garantuar sigurinë e “mikut” të rëndësishëm amerikan.
Nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, përmes zv/presidentes, Kamala Harris, SHBA përcaktoi zyrtarisht se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit në Ukrainë. Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara i ka etiketuar akuzat për krime lufte ruse në Ukrainë një “justifikim” të krijuar nga Uashingtoni për të përshkallëzuar konfliktin.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS, ambasadori Anatoly Antonov u përgjigj deklaratave. “Ne i konsiderojmë insinuata të tilla si përpjekje të paprecedentë për të demonizuar Rusinë në rrjedhën e një lufte hibride, të nisur kundër nesh. Nuk ka dyshim se qëllimi i sulmeve të tilla është të justifikojë veprimet e vetë Uashingtonit për të nxitur krizën ukrainase”.