Pedagogët që po vijojnë protestën edhe këtë të martë, i kanë vendosur ultimatum qeverisë, duke thënë se presin një përgjigje deri nesër në orën 16:00.
Nëse nuk do të ketë përgjigje, 10 pedagogë nga universitete të ndryshme do të futen në grevë urie brenda ambienteve të Universitetit. Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi tha se greva do të jetë simbolike.
”Presim deri ditën e nesërme, për dy tre çështje kryesore që u kemi kërkuar, nuk janë përgjigjur pozitivisht. Do presim deri në orën katër përgjigjen e qeverisë, në grevë do të futen disa pedagogë, rreth 10, është një grevë simbolike. Greva do mbahen në një ambient të brendshëm të universitetit”.
Sipas tij, duhen marrë garanci që rritja me 8% nuk do të mbahet nga tarifat e studentëve dhe që nuk do të sjellë ulje të investimeve në universitete. “Rroga është çështje fikse. Ne nuk jemi dakord as me 15%. Aq më tepër që nuk janë përfshirë stafi ndihmës, që për ne është jetik. Nëse nuk kemi përgjigje pozitive nga qeveria, kemi gatishmërinë e një pjese të stafit të cilët janë gati. Do të jetë unike në botë besoj që në grevë urie të futen personel akademik”.