Mbi 100 punonjës, drejtues dhe punonjës të Bashkisë Mat kanë shpëtuar mijëra rrënjë gështenjë nga zjarret e shkaktuara qëllimisht nga persona keqbërës.
Në krye të punës për shuarjen e disa vatrave të zjarrit në masivet me gështenja të Derjanit, Prellit e Dukagjinit është vënë kryebashkiaku Agron Malaj.
Zjarrfikës, punonjës të shërbimit pyjor, bujqësisë, ndërmarrjes së rrugëve, drejtorisë së shërbimeve bashkiake, njësive administrative, banorë të zonës dhe punonjës të administratës janë angazhuar nga mbrëmja e të dielës deri në orët e para të mëngjesit të sotëm për shuarjen e zjarreve.
Banorë të zonës njoftuan Komisariatin e Policisë dhe i bënë me dije se kanë parë persona që shkaktonin zjarre në masivet me gështenja.
Mësohet se janë ndaluar dy persona të dyshuar si zjarrvënës dhe po hetohet për të zbuluar shkakun e vërtetë të këtij krimi.