Mësohen detaje të reja nga operacioni i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Posaçme, ku në pranga u vu një gardist me gradën komisar, ndërsa në kërkim është shpallur bashkëpunëtori i tij.
Sipas hetimeve proaktive disa-javore, gardisti Z.M, tashmë me masë “arrest në burg” dhe shtetasi K.D., i shpallur në kërkim me masë sigurie “detyrim paraqitjeje”, kanë premtuar se në këmbim të 20 mijë eurove do të ndikonin tek zyrtarë dhe institucione publike për të përshpejtuar dhe mundësuar ekstradimin e një të dënuari shqiptar nga një vend i Bashkimit Europian.
Të dy dyshohen për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.”
Pas kallëzimit nga shtetasja, së cilës i ishte premtuar kundrejt 20 mijë eurove ekstradimi i të afërmit të saj, janë zhvilluar hetime proaktive. Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimit, rezulton se nuk është kryer asnjë procedurë apo praktikë për personin e dënuar në fjalë.
