Policia e Sarandës ka arrestuar mbrëmjen e sotme një person, pasi kundërshtoi me dhunë një efektiv gjatë tentativës për ta ndaluar.
22-vjeçari me inicialet K.M. ka qenë duke lëvizur me makinë në fshatin Vrinë, kur i është kërkuar nga policia të ndalojë, por ai nuk i është bindur urdhërit të uniformave blu.
Përkundrazi, drejtuesi i mjetit ka shtuar shpejtësinë duke goditur një agjent të policisë kriminale, i cili mbeti i plagosur.
Pas një ndjekje që zgjati disa minuta, 22-vjeçari u ndalua dhe gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike e llojit kokainë si dhe dhjetëra fishekë automatiku. Gjithashtu, rezultoi se drejtonte makinën pa leje drejtimi.