Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se mocioni me debat me kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal, që do të mbahet ditën e enjte do të ketë në dispozicion 24 orë në mënyrë që të gjithë deputetët të kenë mundësi të shprehen. Sipas tij, grupi parlamentar socialist mezi po e pret mbajtjen e mocionit për të thënë disa të vërteta para shqiptarëve.
“Të enjten, më 2 mars kemi përcaktuar mbajtjen e një mocioni me debat. Besoj që të gjitha Grupet Parlamentare duhet të përgatiten më së miri për këtë debat të mos gjendemi me kërkesa të tjera proceduriale që ta pengojnë mbajtjen e këtij mocioni.
Çdo deputet do të ketë 10 minuta në dispozicion. Kemi të bëjmë me bashkim të disa kërkesave. Grupi i PS mezi po e pret këtë mocion me debat për të komunikuar me publikun disa të vërteta të mëdha. Mos harroni që data dy është një seancë e paracaktuar dhe e vetmja çështje e rendit të ditës është mocioni me debat”.