26 oficerë janë plagosur gjatë protestës së organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë, Tommy Robinson, ku morën pjesë deri në 150 mijë persona që marshuan në qendër të Londrës.
Policia Metropolitane tha se tensionet shpërthyen gjatë tubimit Unite the Kingdom, me disa protestues që hodhën shishe dhe objekte të tjera ndaj policisë, duke lënë katër oficerë të plagosur rëndë.
Policia Metropolitane tha se 25 persona u arrestuan për një sërë shkeljesh, duke e përshkruar dhunën si “tërësisht të papranueshme”.
Një operacion i madh policor u zhvillua në qendër të Londrës për të ndalur dhunën. Drejtuesit e policisë thane se policët kanë pësuar dëmtime në kokë.
Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, tha se kushdo që merr pjesë në aktivitete kriminale do të përballet me forcën e plotë të ligjit.
Tubimi nisi kryesisht paqësor, por policia tha se disa oficerë u sulmuan ndërsa përpiqeshin të siguronin ruajtjen e rendit.
