Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë goditur së fundmi nga një stuhi e pazakontë, e emëruar si “ciklon bombë”, ku temperaturat e ulëta kanë prekur pjesën më të madhe të vendit. Sipas burimeve nga mediat e huaja, numri i të vdekurve deri më tani ka shkuar në 28, por që sipas ekpertëve, pritet që të rritet në orët në vijim.
Një stuhi vdekjeprurëse dëbore përfshiu Buffalo, New York sot, duke bllokuar njerëzit në makinat e tyre dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.
Sherifi i kontesë Erie të New York-ut, Mark Polonkarz, tha se numri i të vdekurve nga stuhia në zonën e Buffalo tani është në shtatë. Bora sot në këtë zonë të New York-ut perëndimor ka arritur në një thellësi prej 1.2 metrash. Në mëngjes u gjetën katër trupa, disa në makina dhe të tjerë në grumbuj dëbore në anë të rrugës. Ekziston rreziku që numri i viktimave të rritet.
“Këto nuk janë Krishtlindjet që shpresonim apo prisnim, por përpiquni t’i shijoni sa të mundeni sot. Ngushëllimet e mia më të thella për familjet që kanë humbur të dashurit”, shkroi ai në Twitter.
Guvernatori i New Yorkut, Kathy Hokul, i tha një gazetari se është në kontakt me Shtëpinë e Bardhë dhe se administrata e Presidentit Joe Biden do t’i përgjigjet kërkesës së shtetit për të shpallur një gjendje katastrofe.
“Do të hyjë në histori si stuhia më shkatërruese në Buffalo. Është me përmasa historike dhe ne jemi vetëm në gjysmë të rrugës”, tha Hokul.