Një fëmijë 3-vjeç humbi jetën pak ditë pasi iu nënshtrua mjekimit të dhëmbëve me ndërhyrje kirurgjikale në klinikën private ”Xhaxho”. Doktori që ka bërë ndërhyrjen mësohet se është Roland Xhaxho. Familjarët e kishin dërguar fëmijën tek klinika pasi kishte dhimbje dhëmballe. Tek klinika u kanë thënë se fëmija kishte nevojë për rregullim të 13 apo 14 dhëmbëve.
Në një prononcim për median gjyshi i të ndjerit kërkon drejtësi. “Duam drejtësi. S’ka pas asnjë problem djali. A mund të ndërhyhet me një fëmijë për të mbushur 14 dhëmbë. Kjo s’ishte gjëja më e rëndë që na ka ndodhur. Shkuam në shtëpi dhe mjeku na tha s’ka asnjë problem, filloi u zverdh djali. E morëm mjekun në telefon dhe as nuk na hapte as telefonin”. Një i afërm beson se po ti jepej ndihma e parë fëmija do të kishte shpëtuar.
Kurse daja i të ndjerit, tha se prej gjashtë muajsh djali shfaqte shqetësime me dhëmbët, kishte shumë dhimbje. ”Shkuam dy herë, u konsultuam dhe dentisti na siguroi që nuk do të kishim asnjë problem. Lamë takimin dhe e dërguam djalin rreth orës 10, i bënë analizat dhe më pas i bënë anestezinë dhe e vunë në gjumë. Ai ka trajtuar 14 dhëmbë atë ditë dhe fëmija nuk po dilje as në orën 12 dhe dentisti doli në orën 15:00 dhe në orën 20:10 e morëm djalin. Ngjarja ka ndodhur në datën 28. Djalin e morëm në gjendje të rënduar, vetëm njëherë i hapi sytë, infermierët na thanë që është mëse normale që të ishte në këtë gjendje për shkak të narkozës. Ne nuk marrim vesh dhe iu besuam. E sollëm djalin në shtëpi dhe na dhanë një ilaç, na thanë që mund të kishte pak temperaturë. Atë ditë ishte me 38 dhe e dërguam në urgjencë te Pediatria dhe në reanimacion qëndroi dy ditë. Mjekët atje bënë të pamundurën. Problemi është se ai e ka nxjerrë djalin në gjendje kome dhe ata nuk na treguan”, është shprehur daja i djalit për Report Tv.