Një 30-vjeçare e huaj është gjetur e vrarë me thikë brenda një dhomë hoteli. Ajo ishte akomoduar me partnerin e saj, 10 ditë më parë. Ishin pronarët e hotelit që njoftuan policinë. Kur policia u fut në dhomën e hotelit, gjeti trupin e gruas së re të pajetë me shenja thike në pjesën e barkut.
Burri me të cilin ajo kishte marrë me qira dhomën e hotelit nuk është gjendur aty, duke u arratisur me të gjitha dokumentet e tij dhe të viktimës. Vetëm 10 cent janë gjetur në dhomën ku u gjet e pajetë e huaja, pasi çdo gjë tjetër ishte marrë nga partneri i arratisur.
Për policinë ky është autori i dyshuar. Ai është shpallur në kërkim nga blutë, por dyshohet se është larguar nga Shqipëria. Gjaku i 30-vjeçares së pajetë është gjetur i tharë, duke ngritur kështu dyshimet se mund të jetë vrarë para një ose dy ditësh.
Çifti raportohet të kenë ardhur në Tiranë më datë 19 shkurt 2025. Gruaja ka qenë e mbuluar dhe komunikonte me partnerin e saj kryesisht në gjuhën gjermane. Sipas pronarëve të hotelit, çifti nuk u ka paraqitur asnjë mjet identifikimi, me pretekstin se nuk i kishin me vete.