Në veri të Matit ndodhen fshatrat Gjoçaj, Lami i Madh dhe Zallë Gjoçaj. Kanë mbetur 35 familje, ndërkohë që mbi 300 kanë migruar drejt Tiranës e Durrësit. Terreni ku shtrihen këto fshatra është tejet i thyer. Lami i Madh ka fare pak tokë, ndërkohë që vetëm një familje mbarështron bagëti. Në Melth e Zallë Gjoçaj për 6 muaj banorët e mbetur mes malesh nuk e shohin dritën e diellit. Disa prej tyre marrin ndihmë ekonomike, të tjera orvaten në kufijtë e minimumit jetik. Në verë nuk përballohet thatësira dhe në dimër temperaturat e ulëta.
Udhëtimi për në këto fshatra është tejet i vështirë. Bashkia ka ndërhyrë disa herë për rehalitimin e rrugëve, por terreni malor dhe reshjet e dëmtojnë keq atë.
Administratorja e njësisë Derjan, Fatma Doku dhe kryetarët e fshatrave Gëzim Koleci e Mersim Pasha i kërkuan kryebashkiakut të Matit Agron Malaj mbështetje me ushqime dhe kjo kërkesë e tyre u zgjidh menjëherë.
Sot një mjet i ushtrisë u dërgoi pako me ushqime të gjitha familjeve të këtyre fshatrave. Ato janë izoluar nga fillimi i muajit mars 2020, për shkak të koronavirusit dhe rezervat ushqimore u janë pakësuar. Lëvizja drejt qytetit është totalisht e pamundur, autoritetet nuk i lejojnë të dalin nga karantina. Malaj ka premtuar se kujdesi për banorët e këtyre fshatrave të thellë nuk do të mungojë në asnjë rast. /tirananews.al/