Aleksandër Krrashi, shoferi i betonieres me të cilën u përplas makina ku udhëtonin katër të rinjtë në Fushë Prezë, që humbën jetën ka pranuar se nuk kishte ndezur dritat sinjalizuese kur ndaloi anës rrugës.
”Dola në rrugë dhe më la nafta. Dola të kërkoja naftë, por harrova të ndez bllokazhin”, ka thënë i riu në dëshminë e tij para uniformave blu. Pas kqyrjes së kamerave të sigurisë, policia thotë se Enejdi Laçi që drejtonte mjetin tip “Benz”, ka parakaluar një kamion dhe pasi është rifutur në karrexhatë, është përplasur me betonieren e ndaluar, pasi nuk kishin fushëpamje dhe as ndriçim në rrugë.
Grupi hetimor dyshon se përplasja ka qenë e fortë, për shkak të shpejtësisë së lartë dhe mungesës së fushëpamjes së drejtuesit në makinën e aksidentuar. Faktor për mungesën e fushëpamjes, besohet se ka qenë edhe mungesa e ndriçimit në zonë. Bazuar në ekspertizën e kryer nga grupi hetimor, kur është përplasur me betonieren mjeti ku ndodheshin 4 të rinjtë ka qenë më shpejtësi rreth 140 km/orë.