Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha po zhvillon një takim me shqiptarët në Napoli.
Në fjalën e tij Berisha u ndal tek fakti që kombi italian ka pritur valë emigrantësh të cilët ikën në kërkim të një jete më të mirë, të ndikuar nga kushtet specifike në të cilat ndodhej vendi ynë.
“Italia dhe Napoli kanë pritur në shekuj valë të emigracionit shqiptar të ndikuara nga pushtime të brendshëm e të jashtme. Hapën dyert e zemrat dhe jam mirënjohës për të gjithë kombin italian”, tha ai, ndërsa ka vlerësuar edhe kontributin e dhënë nga diaspora jonë atje.
Berisha ka shtuar se do të jetë diaspora ajo që do të shpëtojë Shqipërinë me votën e saj më 11 maj.
“Po shkojmë drejt raundit të fundit të betejës sonë, drejt 50 ditëve që kanë mbetur, ditë vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kam deklaruar me bindjen më të thellë se ky vit është viti i diasporës shqiptare. Do të jenë shqiptarët nga jashtë ato që do të shpëtojnë Shqipërinë. Prite Edi Rama diasporën se po vjen, po vjen të shpëtojë mëmëdhenë, t’i dalë zot Shqipërisë. ”, tha ai.