Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula shprehet se Shqipëria po kthehet një “mollë” e ndaluar për shqiptarët, pasi nuk mund t’i gëzojnë potencialet e pafundme në turizëm për shkak të ekonomisë së dobët.
“Barometri i fundit i Ballkanit, një publikim i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) gjeti se 60% e shqiptarëve nuk janë në gjendje që të përballojnë një javë pushime larg shtëpisë. Kjo tregon qartë nivelin e ulët ekonomik të vendit tonë. Është edhe më e dhimbshme kur mendon se qytetarët shqiptarë arrijnë të punojnë jashtë vendit dhe bëjnë një palë pushime po jashtë Shqipërisë, ndërkohë që për të shijuar vendin e tyre është e pamundur. Disbalanca e shtresave në Shqipëri është fenomen shqetësues.
Është shqetësuese për faktin se këtë situatë e krijon korrupsioni dhe paratë që vijnë nga aktivitetet e tjera të paligjshme. Një fakt tjetër që del në pah është se në vendin tonë mund të pastrosh para shumë lehtë dhe në këtë mënyrë çmimet shkojnë përtej logjikës ekonomike të vendit. E përsëris shpesh mbështetjen që jap ndaj drejtësisë që të kthejë vendin në një shtet normal, sepse në këto kushte erdhëm për shkak të politikave të tilla të kësaj mazhorance, ndërsa drejtësia e reformuar duhet të kthejë vendin në shinat e ligjshmërisë”, thotë Sula.