Pasi mori dënimin e përjashtimit me 60 ditë larg Kuvendit, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi thotë se përjashtimi i opozitës për muaj nga Kuvendi, provon sesa i vogël e frikacak është Edi Rama. Po ashtu shkruan se kryeministri Rama është ai që i ka vënë zjarrin sallës së Kuvendit.
”Këta të fusin në burg pa ligj e prova, jo më mos të të përjashtojnë nga Kuvendi pa ligj e prova. Përjashtimi i opozitës për muaj nga Kuvendi, provon sesa i vogël e frikacak është Edi Rama! Përballë do na kesh, brenda apo jashtë Kuvendit! Asaj salle krimi i ke vënë zjarrin! Fshihu e shmangu sa të duash, përjashto, burgos e përndjek sa të duash, fatin tënd nuk e ndryshon dot! Atë ta ka përcaktuar shumica dërrmuese e shqiptarëve që përbuzin ngritjen e krimit të organizuar në qeverisje dhe shndërrimin e institucioneve në banda kundër opozitës”,-shkruan Bardhi.
Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledjon Nallbati, për kasoin, dhunën dhe flakën ndaj karrigeve, do të përjashtohen nga seancat plenare për 60 ditë. Ky është vendimi që morën deputetët e PS-së në Komisionin e Etikës, dy ditë pas trazirave në seancën plenare. Deputeti Edi Paloka përjashtim me 10 ditë. Ndërkohë për pjesën tjetër, 20 deputetë, u mor vendimi për përjashtim 40 ditor nga seancat. Vendimi u mor pasi u shqyrtuan mirë pamjet e kamerave.
Vendimi u mor këtë të mërkurë pas kërkesës së grupit parlamentar socialist për marrjen e masës disiplinore ndaj tyre, për shkak të tensioneve dhe dhunës së krijuar në seancën parlamentare të së hënës nga deputetët demokratë, të cilët kundërshtuan dënimin e Ervin Salianjit me një vit burg.
Mbledhja e sotme e Komisionit të Etikës u shoqërua me nga kaosi dhe tensionet për shkak të protestës së deputetëve të opozitës në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Në një deklarate për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, pohoi se mosbindja civile do të vazhdojë.