Ishte 25 shkurti i vitit 1965. Një ngjarje e rëndë tronditi vendin. 11 gjeologë humbën jetën tragjikisht për shkak të orteqeve të borës. Është një histori e trishtë, rrënqethëse, i kalon kufinjtë e një legjende. Ngjarja e ka zanafillën një ditë para fatkeqësisë së madhe. Gjeologu Neshat Çoku, kishte vajtur me leje në fshatin e tij, për t’iu gëzuar lindjes së vajzës. Pikërisht atëherë kur atij i skandonte leja kishte nisur udhëtimin drejt Batrës. Pasi kishte kapërcyer Bulqizën i është ngjitur malit, por trashësia e madhe e dëborës nuk e kishte lejuar t’i afrohej sektorit. Një ditë më pas drejtuesit e ekspeditës dhe gjeologët ishin informuar se ai nuk gjendej në sektor, as në shtëpi dhe as tek të afërmit. Të gjitha burimet e informacionit në çonin në faktin se ai ka nisur udhëtimin drejt Batrës, për të ardhur në vendin e punës.
Dimri i atij viti ishte i jashtëzakonshëm. Në disa vende trashësia e dëborës i kalonte tre metra. Rreziku shtohej sepse natën para 25 shkurtit trashësia e borës u rrit pas reshjeve të dendura. Të organizuar me grupe pune gjeologët e Batrës nisën kërkimin rrëzë luginave, por rreziku ishte i lartë. Iu drejtuan malit të Dhoksit, atje ku mendohej se kishte mbetur gjeologu Neshat Çoku.
Rreth orës 09.00 të 24 shkurtit 1965, rreth 100 metra poshtë majës së malit, në të çarën e një shkëmbi, u gjet doreza e punës e Neshat Çokut. Kjo shenjë i orientoi kolegët të vijonin kërkimet në fund të greminës. Me 25 shkurt kërkimet vijuan rrëzë malit. Të gjithë gjeologët e ekspeditës, të organizuar dhe me mjete pune, largonin borën e madhe që kishte rënë. Edhe herë të tjera kishin pastruar rrugë e fronte pune, por volumi i asaj dite ishte shumë i madh. Lodhja ishte e madhe. Shumë nga punëtorët nuk kishin fuqi të punonin për shkak të motit, lodhjes fizike dhe frikës nga orteqet.
Ishte ora 10.15 e 25 shkurtit 1965 kur njëri nga vrojtuesit që qëndronte në anën tjetër të malit dha “kushtrimin” se një ortek i madh po zbriste malit. I përpiu të gjithë, u hodhi mbi shpinë tonelata borë e gjithçka tjetër orteku kishte marrë me vete gjatë “udhëtimit” nga maja e malit të lartë. “Lëmshi” ogurzi zbriti nga maja e Dhoksit. Nga 20 punëtorë që ishin në kërkim, në ato moment 10 mbetën poshtë ortekut dhe 10 të tjerë i përplasi në faqen tjetër të malit. Disa u plagosën dhe pësuan fraktura të ndryshme, ndërkaq të tjerë shpëtuan më paq.
Poshtë masivit vdekjeprurës mbetën minatorët Avdyl Vërlaku, Dilaver Rupla, Emin Pershaku, Munir Nurçe, Neshat Çoku,, Skënder Tomja, Myslim Mazar, Hysen Toska, Neshit Rupja, Subi Kadria, Shaban Hoxha.
Vendi ku orketu ishte ndalur, mes dy faqeve të malit, kishte krijuar një “mal” tjetër. Në fund të tij ndodheshin trupat e pajetë të 11 njerëzve. Ekspertët thanë atëherë se ishin grumbulluar 1 milion e 400 mijë metër kub dëborë dhe trashësia e borës vlerësohej 100 metra. Kjo e vështirësonte shumë nxjerrjen e trupave të viktimave. U deshën 3 muaj punë që të nxirreshin trupat e pajetë.
Kanë kaluar 60 vite nga ngjarja e rëndë dhe ende nuk kemi një memorial për 11 heronjtë e Batrës së Martaneshit.
