Qendra Kulturore e Fëmijëve Burrel jo vetëm është rikonstruktuar kohët e fundit, por ajo është emërtuar sot nga Këshillit Bashkiak Mat “Qendra Kulturore Imer Neli”. Godina e ndërtuar në vitet ’40-të tashmë do të mbajë emrin e një kolosi të muzikës tonë popullore, instrumentistit me përmasa kombëtare, talentit që i dha Asamblit Mati jehonë, Imer Neli.

Këshilltarët e të gjitha subjekteve politike mbështetën propozimin e Bashkisë Mat dhe Qendrës Kulturore, Artit e Muzikës për vendosjen e këtij emërtimi këtij objekti ku Imer Neli përgatiti si instrumentistë qindra instrumentistë.
Sokol Meta, drejtor i Qendrës Kulturore të Artit dhe Muzikës Mat në relacionin e tij tha se: “Mjeshtri i Madh”, “Artisti i Merituar” Imer Neli ka një aktivitet artistik 60 vjeçar, prej vitit 1958 deri në vitin 2018. Në vitin 1979 është shpallur “Artist i Merituar”, 2006 “Nder i Qarkut të Gjirokastrës”, 2012 “Qytetar Nderi i Burrelit”, 2012 është shpallur nga Presidenti Bamir Topi “Mjeshtër i Madh”. Imer Neli, shtoi Meta, ka një vend nderi në muzikën tradicionale shqiptare, duke e renditur me figura të shquara të folklorit kombëtar, si Ndue Shyti, Laver Bariu, Fatime Sokoli, Demir Zyka, Hekuran Xhambali, Remzi Lela, etj, etj”.

Imerr Neli u lind në fshatin Macukull, në një familje të njohur të prodhimit të çiftelisë e laurisë si dhe për aktivitetet artistike që organizonin në vendlindje e më gjërë. Të gjithë burrat e asaj shtëpie luanin me çifteli dhe fyej. Ishin vitet ‘50-të kur orkestra e familjes Neli bënte jehonë në krahinën e Matit. Mes tyre ishte edhe Imeri, një adoleshent i apasionuar pas muzikës.
“Viti 1958 do të shënonte pjesëmarrjen time të parë në takimin folklorik zonal të organizuar në Derjan, shprehet Imer Neli. Që nga ajo kohë, bashkë edhe me artistë të tjerë të Matit do të kisha fatin të takoja muzikantë të mrekullueshëm në qytetin e Burrelit dhe të njihesha me skenën dhe spektatorët. Kur kam shkuar për herë të parë në vitin 1959 në Tiranë, drejtori Isuf Meta më shtynte nga mbrapa, pasi unë kisha emocion të dilja në skenën e festivalit i saposhkëputur nga bjeshkët, që i dashuroja aq shumë”, kujton me emocion fillimet e karrierës artisti i njohur.

Kujtimet e Nelit janë të shumta, emocionuese, frymëzuese. Në vitin 1959 në një festival që zhvillohej nga Radio Tirana ai shpallet “Laureat i Festivalit”. Dy vite më vonë shpallet fyelltari më i mirë. Në fund të viteve ‘50 të shekullit të kaluar bardi Imer Neli erdhi në skenë sipas një kalendari zyrtar për zhvillimin e folklorit. “Legalizimi“ i tij në publik e më pas jeta skenike nën drejtimin e kompozitorit Skënder Frashëri në Burrel do ta njihte me këngën e re qytetare të krijuara nga ky i fundit. E entuziazmonte tepër fakti se Imeri bard e kishte ushqyer kompozitorin me bulëzat muzikore të lirikave të mrekullueshme të Matit.

“Djaloshi matjan, tashmë nga skena do të tërhiqte vëmendjen e specialistëve dhe jurive dhe do të mbetej subjekt shumë i çmuar i etnofolkloristikës shqiptare. Ky nuk mund të ishte rast i izoluar. Ishte një trokitje në ndërgjegjen e nuhatjen e gjurmuesit e studiuesit të zellshëm të muzikologjisë, Prof. Ramadan Sokoli, se kjo begati e folklorit të krahinës së Matit buron vlera të panjohura, por shumë të larmishme e identitare. Studiuesi me intuitën dhe përvojën e profesionistit kërkon të njohë e regjistrojë materiale të tjera nga instrumentistë, rapsodë e grupe vokale të zonave të ndryshme të krahinës së Matit. Bashkë me Imerrin do të ishin edhe Shaqir Hazizi, Ibrahim Minxhozi, Hysni Hysneli me çifteli dhe Lim Rrahmani në lauri. Tanimë pranë Institutit të Folklorit në Tiranë (sot IAKSA) u bënë pjesë e arkivit jo pak material muzikor shumë i dobishëm”, shkruan Esat Ruka, një njohës i mirë i muzikës shqiptare.

Në fillim të viteve ’60 kompozitori Munir Shehu do të organizonte orkestrinën e parë me instrumente të trevës dhe Imerin do ta kishte solist në orkestrinë. Bashkëzanimi i asaj orkestrine me këngët e bukura të kënduara nga e magjishmja Feride Kurti do të ishin një start tjetër i ri artistik për Matin.
Në mesin e viteve ’70 kompozitori Naim Gjoshi e fuzionoi më tej përvojën dhe cilësinë e ekzekutimit si rezultat edhe i pjekurisë artistike të instrumentistëve. Roli i Imer Nelit do ngjitej në një platformë të re.

“Me këtë status përgatiti e drejtoi për dekada me radhë grupin e instrumentistëve të vegjël pranë QKF, të cilët u bënë rasati i orkestrinës, tashmë famoze të Matit. QKF-ja do të përfaqësohej disa herë në festivale më fëmijët dhe nën drejtimin e Imerit do të meritonte gjithnjë vende të para. Nuk shkroi partiturë, por ishte ushqyes i partiturave të kompozitorëve në rreth dhe më pas bëhej ekzekutuesi i atyre partiturave me fyellin dhe bilbilin e tij. Ishin talenti, pasioni, vullneti, disiplina, dashuria për trashëgiminë e trevës së vet? Padyshim, të gjitha bashkë plotësonin portretin artistik të tij. Por unë do të shtoja edhe respektimin nga ana e Imerit e punës programore në zbatim të politikave kulturore të institucioneve, ku cilësia artistike dhe disiplina e madhe ktheheshin në një shkollë të re për ‘të. Imeri kujton: “Kur kam parë për herë të parë në Tiranë Xhevat Lishin me dajre në grupin përfaqësues të Matit, që morën në mënyrë të padiskutueshme çmimin e parë, e ndjeva veten krenar dhe përnjëherë mendova pozicionin tim në përbërje të këtij grupi artistik”, shton Esat Ruka teksa shkruan për “Mjeshtrin e Madh” Imer Neli.

Është rast unikal në shkallë kombëtare, që artisti Imer Neli, që nga viti 1958 nuk i është ndarë asnjëherë skenës së koncerteve, festivaleve lokale, kombëtare në tipologjitë e gjinive të artit folklorik dhe të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër.

Imerr Neli është pjesëmarrës në të 10 Festivalet, pra që nga viti 1968 si solist në aerofone, laureat në disa syresh radhazi, i titulluar Artist i Merituar në vitin 1979. Tani mban edhe titullin e lartë ”Mjeshtër i Madh”. Ndërsa ka debutuar në dhjetëra festivale pa ndërprerje dhe ka fituar qindra diploma, çmime, mirënjohje, dekorata dhe tituj brenda dhe jashtë vendit, në diasporën shqiptare dhe në mediumet shkencore Ai shpreh me veneracion mirënjohjen dhe respektin për spektatorin e mrekullueshëm që e ka ndjekur dhe duartrokitur kudo për 60 vite me radhë.

“Nuk mund të përcaktoj kilometrat e bëra e të orëve të vona në skenat e ndryshme të koncerteve, buzëqeshjet e ngazëllimet, duartrokitjet e sukseset, as edhe telat e këputur nëpër instrumente apo ndonjëherë edhe tendosje nervash, por një fakt mund ta them: “Kam shpenzuar aq shuma tuba plastikë për të prodhuar fyejt që më nevojiteshin në skenë, sa me ‘to e kisha sjellë ujin e lagjes Valxhi të Macukullit në banesën time në lagjen “Pjetër Budi” në Burrel”, shprehet artisti teksa emir i tij memorizohet në një nga objektet kulturore ku ai derdhi mund e djersë.

Arritjet dhe përvojën brilante të Imer Nelit po e lartëson akoma më shumë djali i tij Behari, i cili është mjaft virtuoz dhe i njohur në “mjedisin” e muzikës shqiptare.