Në vitin 2016, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për sinjalizimin e praktikave korruptive në sektorin publik dhe prova, si dhe për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Sipas ligjit, çdo institucion publik me më shumë se 80 të punësuar dhe çdo subjekt privat me mbi 100 të punësuar, ka detyrimin për të krijuar një njësi përgjegjëse për sinjalizimin e korrupsionit.
Në zbatim të ligjit, deri në fund të vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare të ILDKPKI, janë ngritur 199 njësi përgjegjëse në sektorin publik dhe 565 njësi në sektorin privat. Këto njësi sinjalizimi të korrupsionit përbëhen kryesisht nga një punonjës. Të paktën 764 punonjës paguhen për të sinjalizuar abuzimet në sektorin privat dhe publik.
Por e ka realizuar qëllimin për të cilin u miratua ligji për sinjalizimin e korrupsionit në sektorin publik dhe privat? A ka një produkt për të justifikuar koston financiare dhe burimet njerëzore për zbatimin e ligjit?
Shtatë vite pas miratimit të ligjit për “sinjalizuesit” apo “bilbilfryrësit”, denoncimet për praktikat e dyshuara korruptive rezultojnë në shifra modeste, madje të papërfillshme, ndonëse perceptimi qytetar për korrupsionin nuk ka ndryshuar. Gjatë vitit 2022, pranë ILDKPKI ka pasur vetëm 6 sinjalizimeve të praktikave të dyshuara korruptive nga tre njësi përgjegjëse. Tre sinjalizime anonime janë referuar për abuzime të pretenduara në Radio Televizioni Shqiptar. ILDKPKI për dy raste ka vendosur mosfillimin e hetimit administrativ dhe për një rast ka bërë rekomandim për përmirësimin e punës.
Një rast sinjalizimi shkelje të pretenduara ka ardhur për Këshillin e Lartë Gjyqësor, ku ILDKPKI për dy raste ka vendosur mosfillimin e hetimit administrativ. Dy raste sinjalizimi janë referuar për Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural. Pas verifikimit, ILDKPKI ka konstatuar se dy sinjalizimet janë të pabazuara. Në vitin 2021 janë regjistruar vetëm 9 raste sinjalizimi të korrupsionit nga tre njësi përgjegjëse, në Bankën e Shqipërisë, Bashkia Tiranë dhe në Drejtorinë e Burgjeve.
Gjatë vitit 2020, nga njësitë përgjegjëse janë referuar në ILDKPKI vetëm 6 sinjalizime. Gjatë viti 2019, janë regjistruar dhe trajtuar në total 14 raste sinjalizimi të korrupsionit dhe vetëm 1 kërkesë për mbrojtje nga hakmarrja e ardhur nga sektori publik. Në vitin 2018, janë paraqitur në ILDKPKI 5 raste të sinjalizimit të korrupsionit në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Portin e Durrësit. Ndërsa, gjatë vitit 2017 pranë ILDKPKI janë raportuar 8 raste sinjalizimi. Produkti i zbatimit të ligjit për sinjalizimin është pothuajse zero në sektorin publik dhe zero në sektorin privat.