Nersada Mandija
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas nuk do vishem në zi! Ne #protestën e zisë nuk e gjej veten. Jo se jam e pandjeshme ndaj gjithë rasteve të dhunës ndaj grave, apo ndaj sa jetëve të pafajshme që janë prerë në mes. Por se vitin që lamë pas e shoh me kokën lart për ndryshimet dhe përmirësimet që solli në masat kundër dhunës në familje dhe në mbrojtje të gruas (Ligji nr. 47/2018). Falë kësaj ndërhyrje të ardhur pas plot 12 vitesh, u përforcuan dukshëm masat mbrojtëse, u zgjerua rrethi i subjekteve që mbrohen nga ligji, u përmirësuan dhe u shtuan shërbimet që ofrohen ndaj viktimave të dhunës, u përmirësuan dhe përforcuan procedurat institucionale dhe gjyqësore. Pikërisht, e gjithë kjo punë e bërë, nuk më lë të vishem në zi, më nxit për më shumë, më nxit drejt ngjyrave drejt jetës…dhe jo të mbaj zi!
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, as në Sheshin Skënderbej të kërkoj punë s’do dal. Po të dua këtë e bëj në Zyrat e Punësimit, si grua në nevojë mund të përfitoj vend pune menjëherë falë programeve të posaçme. Jo, jo..puna në sheshe nuk kërkohet, aq më pak një ditë në vit. Punekërkimi është një proces që merr kohën e vet, do durim dhe gatishmëri për t’iu përshtatur kërkesave të tregut të punës.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, të gjithë vëmendjen ma rrëmbyen gratë socialiste të Shkodrës, të cilat prej ditësh po organizohen dhe mblidhen për të organizuar Ecjen e Parë Globale (Lokale) të Mentorimit në Shkodër. Një përvojë e re në Shqipëri, por e themeluar prej kohësh nga ish-Zonja e Parë Hillary Clinton dhe e sjellë tek ne nga një zonjushë shumë energjike nga Shkodra, zgjedhur dhe Flamurmbajtëse (Flagbearer) për Shqipërinë nga Vital Voices Global Partnership, më ngjalli pikërisht ndjesitë e një dite veç për gratë. Po, po, këtë ditë dua të jem në këtë takim mentorimi jo vetëm se e ka themeluar Hillary Clinton, apo se për Shqipërinë e udhëheq një mikeshë…por se kam kaq dëshirë të dëgjoj nga gra që mishërojnë kulturën dhe qytetarinë shkodrane, të dëgjoj e mësoj nga zonja plot grinte dhe energji që nuk janë ndalur para asnjë vështirësie në jetë. Më pëlqen dhe me zi pres që në këtë ditë për gratë, të shoh para me sytë katër gra të suksesshme të qytetit tim, që ndajnë modelin e vet të suksesit, si ia kanë dalë në jetë edhe pse s’ka qenë kurrë e lehtë.
Më pëlqen që këtë ditë ta shoh pikërisht me sytë e gruas socialiste, si fuqia e vetme e dëshmuar përparimtare, evropianë dhe vetë reformuese. Gruaja socialiste ka barrën t’i flasë gjeneratës tjetër, jo me gjuhën e llafeve por me atë të veprave, ka barrën të rezistojë përballë të shkuarës dhe sytë t’i mbajë veç nga e ardhmja. Gruaja socialiste e di më mirë se askush se e ardhmja dhe përparimi vjen vetëm duke bashkuar forcat dhe duke qëndruar bashkë. Dhe kjo…kjo bëhet në ngjyra shumë, dhe kurrë në zi!