Sali Berisha prezantoi sot në një takim me qytetarët kandidatin e Memaliajt, Albert Malaj, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se në gjithë këto vite nuk ka krijuar asnjë mundësi për qytetarët.
“Kandidatin e tyre, as dega e PS nuk e voton, as socialistët nuk pyetën për të. Këta janë një sekt i rrezikshëm, të shkëputur tërësisht nga qytetarët. Miliarda euro janë pasuritë publike të vjedhjeve të tyre. Sot në Shqipëri janë 35% më pak qytetarë se 8 vite më parë. Edhe në Ukrainë që janë në luftë nuk janë shifrat e njëjta si në vendin tonë. Këtë vend të bekuar e shpallim një vend që nuk mund të jetohet. Varfëria është arsyeja kryesore, varfëria e shkaktuar nga vjedhjet e papërmbajtshme të kësaj qeverie. U tha shqiptarëve se vitin e ardhëm do të ketë rrogën 900 euro, kjo do të thotë të rrisësh inflacionin, të falimentosh bizneset, bankat e Shqipërinë dhe këtë e thotë një njeri që për karrigen e tij është i aftë t’i thotë shqiptarëve çdo mashtrim. Kujtojmë rastin kur ai tha se shqiptarët do të provonin shëndetësinë falas që jo vetëm që nuk është, por paguajnë më shumë. Tani në një akt të padëgjuar, do të krijojë dy korsi në shëndetësi, atë të pasanikëve dhe të atyre që nuk kanë”, tha Berisha.