Maturantët tashmë kanë përfunduar provimet e Maturës Shtetërore, dhe festën e lamtumirës për shkollën e mesme. Ethet e vërteta nisin tani pas shpalljes së rezultateve të provimeve dhe përllogaritjes së pikëve të fituara, me notat që kanë marë.
Me përfundimin e provimeve të Maturës dhe shpalljen e rezultateve kanë nisur ethet e vërteta për maturantët, tashmë kandidatë për studentë.
Panorama në versionin print bën të ditur se të rinjtë do të shprehin dëshirat e tyre nga data 31 korrik deri në 5 gusht, ndërsa deri në fund të gushtit do ta kenë marrë vesh nëse janë në listën e parë të fituesve. Fatlumët e parë zakonisht janë ata me dhjeta absolute, të cilët ezaurojnë kuotat në degët më të preferuara. Nxënësit gjithashtu shumë të mirë dhe ata me më pak pikë do të garojnë në gjashtë fazat pasuese të raundit të parë (gjithsej 7 faza regjistrimesh), nga 2-15 shtator.
Shanse të tjera për të rinjtë, por edhe për fakultetet që duan të realizojnë numrin e kuotave, ka në dy raundet pasuese të aplikim-regjistrimeve, të cilat zvilohen në fund të muajit shtator dhe fillim tetorit. Ndonëse auditorët hapin dyert në datën 14, regjistrimet me qëllim ezaurimin e kuotave do të vijojnë nga sekretaritë deri në datën 31 tetor.
KUSHTI I APLIKIMIT
Kusht primar për t’u bërë pjesë e garës në universitete, qoftë publike apo private, është kryerja e pagesës së tarifës prej 2 mijë lekësh. Trajektorja që duhet të ndjekin kandidatët për në universitet është shumë e thjeshtë.
Si fillim duhet të logojnë në portalin u-albania, me anë të cilit do të ndjekin gjithë ecurinë, nga aplikimi deri në regjistrimin në degën e fituar. Kjo gjë bëhet duke futur ID e Maturës dhe atë të kartës së identitetit, ku secili duhet të shkarkojë nga portali faturën e pagesës, të cilën mund ta kryejnë në postë ose bankë. E rëndësishme është që të ruani kodin, ndërsa mandatin e pagesës ta dorëzoni te mbikëqyrësja e shkollës, e cila do të hedhë në sistem notën mesatare.
Vetëm pas këtij procesi, portali i aplikimeve për degët e arsimit të lartë publik e privat është i hapur për të rinjtë. Para se të plotësojnë Formularin A2 këshillohet konsultimi me kriteret e pranimit në degët që preferojnë dhe kuotat për vitin e ardhshëm akademik. Po ashtu, nota mesatare dhe pikët e pranimit në vitin e kaluar janë një orientim shumë i mirë, edhe pse këto të fundit ndryshojnë në bazë të kërkesë-ofertës për një program të caktuar.

