Falenderimi publik që Erjon Isai i dedikoi në Instagram Ardit Gjebresë, Altin Bashës dhe Bes Kallakut pasi u zgjodh kryetar bashkie në Kolonjë, nuk u prit aspak mirë nga Ledio Lako, aktori i “Portokalli” i njohur për rolin e Kapos.
“E fillove mbarë që ditën e parë”, i shkruan ai në një koment në Instagram ku i vë në dukje se lista e tij e falenderimeve nuk duhet të mbarojë me Ardit Gjebrenë, Bes Kallakun, Altin Bashën, Agron Llakajn, Vangjel Kozmanë të cilët i ka vendosur në një kolazh fotosh për t’i falenderuar publikisht në Instagram.
Në komentin tashmë të fshirë, Ledio i shkruante:

“Bën mirë që falenderon dhe tregon mirënjohje! Por mendoj se ke akoma listë për të falenderuar. Ndoshta jo si vëllezër, por si kolegë. Gjithsesi, suksese në rrugën e re të “politikanit”. E fillove mbarë që ditën e parë”.
Erion Isai ia ktheu në një koment, duke i thënë:

“Lista vërtet është e gjatë. Mirënjohjen dhe falenderimin për gjithë “Portokallinë” e kam dhënë disa herë. Kjo s’bën asnjë nga kolegët më pak të rëndësishëm në jetën time.”
Që në fillimet e kandidaturës për kryesinë e bashkisë Kolonjë, Erion Isai ka hasur shumë kritika nga ana e atyre që e kishin njohur si aktor, se përse zgjodhi t’i hyjë politikës. Angazhimet e tij në institucionet shtetërore nuk janë për herë të parë pas këtyre zgjedhjeve, pasi përpara se të kandidonte Erion Isai ishte caktuar drejtor i Teatrit të Kukullave të Tiranës.
