Ashtu siç kishte paralajmëruar kryeministri Rama, qeveria pritet të nxjerrë nga puna në numër të madh punonjësish policie me argumentin e uljes së moshës mesatare të atyre që kryejnë shërbimin.
Qeveria ka menduar dy forma të largimit të policëve, ku e para lidhet me ngritjen e një shërbimi të ruajtjes së objekteve ku do të punësohen policët që largohen nga shërbimi policor dhe forma e dytë është përmes nxjerrjes në pension të parakohshën në mënyrë vullnetare.
Në lidhje me këtë të fundit ka dalë sëfundmi edhe projektligji i Ministrisë së Brendshme.
Për të zgjedhur pensionin e parakohshëm, polici duhet të ketë 25 vite punë dhe të jetë mbi 55 vjeç. Në këtë mënyrë synohet që mosha mesatare e punonjësve të policisë të ulet nga 45.6 vjeç që është tani në 44.1 vjeç pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Drafti parashikon që pensioni i parakohshëm të jetë sa 65% e rrogës mesatare të referuar neto të policëve, ndërsa për çdo vit mbi 25 vite pune ajo rritet me 1% me kushtin që tavani të jetë 75% e pagës referuese neto.