Korriku përkon edhe me mbylljen e sezoneve të emisioneve televizive, për të cilat nuk dimë nëse do të rikthehen në shtator, apo do të ketë projekte të reja etj.
Pjesë e kësaj vorbulle lajmesh është edhe Marina Vjollca, e cila ka mjaft kohë që është larguar nga ekrani, që pas përfundimit të spektaklit “C’est la vie” në tv Klan. Mediat rozë thonë se Marina do të rikthehet sërish në ekranin e Klan, por këtë herë me një tjetër projekt.
Gjithnjë e më shumë po flitet se emisioni i Ermalit nuk do të jetë këtë sezon që vjen, ndërkohë që episodet gazmore të Be Coffee, me Bes Kallakun dhe Olsi Bylykun do të marrin kohën e tyre në prime time, pikërisht ditën e shtunë.
Kujtojmë që Erion Isai nuk është më pjesë e grupit, pasi tashmë do të jetë kryetar i bashkisë së Ersekës. Por gjithnjë e më shumë qarkullojnë zëra se vendin e tij do e zërë Marina Vjollca. Të paktën kështu shkruan Panorama Plus.
Kohët e fundit bukuroshja e ekranit dhe bashkëshorti i saj Getoar Selimi janë rikthyer nga pushimet ekzotike në Barbados, e tashmë do të nisë punën projektin e ri.
Ndërkaq, “Indeksonline” ka zbuluar se Bes Kallaku dhe Olsi Bylyku do të nisin emisionin e tyre në prime time, i cili pritet të jetë në orën 20:00 të së shtunës. Në të tilla kushte, programi i humorit “Duplex” do të spostohet në kohë. Por surpriza e vërtetë është rikthimi i Marina Vjollcës. Moderatorja, e cila i mungoi ekranit për dy vite, rikthehet sërish aty ku e la, por këtë herë me një program krejt ndryshe.
Marina do t’i bashkohet Besit dhe Olsit në një program risi, me skenaristin e “BE Caffe”, Vangjel Kozmai. Le të shohim se ç’do të bëjnë në program të tre, Besi, Olsi dhe Marina, në vend të Erion Isait, i cili la emisionin për postin e kryetarit të Bashkisë së Ersekës. Pak ditë më parë, moderatorja e njohur Marina Vjollca festoi ditëlindjen e saj të 29- të, këtë vit larg ekranit.
