Elisi është fëmija i parë në Shqipëri që erdhi në jetë për Vitin e Ri 2019. Lindi në SUOGJ Mbretëresha Geraldinë në Kryeqytet, vetëm një minutë pasi kishte hyrë Viti i Ri, në orën 00:01.
Emilina Shtembari u bë nënë për herë të parë me Elisin në moshën 29 vjeçare. Ajo është nga Lushnja por sëbashku me bashkëshortin e saj jetojnë këtu në Tiranë.Në një intervistë për dritare.net nëna e Elisit, mjeke në profesion dhe në vitin e fundit në specializimin për kardiologji, tregon sesa bukur është të jesh nëna e fëmijës së parë për 2019.
Elisi për Emilinë ishte dhurata më e bukur që mori natën e ndërrimit të viteve, duke e bërë atë nënë për herë të parë.
Duke qenë edhe vetë në të njëjtin profesion, e pyetur nga dritare.net sesi u sollën dhe cili ishte kujdesi i mjekëve gjatë lindjes, Emilina shprehet shumë e kënaqur për shërbimin në SUOGJ Mbretëresha Geraldinë.
“Ishte një shërbim shembullor nga stafi infermieror dhe ai i mjekëve të SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, me përkushtim , profesionalizëm dhe dashamirësi.”- shprehet Emilina.
Në natën e ndërrimit të viteve gjithkush nga ne mund të mendojë se mjekët mund të festojnë dhe neglizhojnë punën, por të vërtetën na e tregon Emilina :- “Mjekët nuk neglizhuan për asnjë moment, nuk kishte dallim mes asaj nate të ndërrimit të viteve dhe një ditë të zakonshme për cilësinë e shërbimit. Ju siguroj për këtë. ”
Drejtoresha e SUOGJ Mbretëresha Geraldinë, Eliona Demaliaj, shprehet për dritare.net se është e lumtur që e ndoqi kolegen e saj gjatë shtatëzënisë. Ajo tregon se jo vetëm për gruan që lindi e para për vitin 2019, por për të gjitha nënat që lindën në 2018 ka pasur shërbim cilësor.
“Gjatë gjithë vitit 2018 kemi pasur shumë rezultate të mira në lidhje me sëmundshmërinë neonatale. Falenderojmë përkujdesjen e ministres Manastirliu për investimet në spitalin tonë që kanë sjellë gjendjen cilësore të shërbimit.” –shton Demaliaj.
Emilina tregon se mbi të gjitha ishte një ndjesi e veçantë fakti që është bërë nënë në momentin që fishekzjarrët kanë shpërthyer, duke shënuar ardhjen e Vitit të Ri.
Djali i saj erdhi në këtë botë dhe fishekzjarret shpërthyen për të. Kështu do e kujtojë gjithmonë mami Emilina, lindjen e djalit të saj të parë.
Kaq me fat ka qenë gruaja e re, që jo vetëm ka marrë dhuratën më të bukur në botë për festa, djalin e saj, por një tjetër dhuratë që as ajo vetë nuk e kishte pritur ishin fotot e para që njëra nga mamiet i kishte bërë teksa është njohur për herë të parë me djalin e saj.
“9 muaj shtatëzëni kanë qenë 9 muaj pritjeje të bukur dhe me pak ankth brenda. Fillimisht ankth sesi do të ishin muajt e parë të formimit të bebit, pastaj ankthi u kthye në një padurim dhe dëshirë të pafundme që djalin ta kisha në krahë, ti ndjeja aromën, ta përkëdhelja ta puthja. Ishte pritja më e bukur e jetës time.”
Eliona Demaliaj, mjekja e cila e ndoqi Emilinë gjatë shtatëzënisë i kishte thënë se ke një reduktim të rëndësishëm të ujërave dhe një xhiro të kordonit umbilikal rreth qafës së bebit dhe si përfundim kishte rekomanduar operacionin si zgjidhjen më të sigurt për bebin.
Frikë nga operacioni edhe Emilina kishte pasur, jo vetëm bashkëshorti dhe familjarët që e prisnin jashtë.
“U futa me frikë në sallën e operacionit, dhe njëra nga mamiet më ka mbajtur të përqafuar gjithë kohën teksa anestezistja po aplikonte anestezinë.”
Elisi lindi 3150 gr dhe 50 cm i gjatë.
Përveç kujdesit maksimal, shërbimit në spital dhe urimeve që Emilina mori nga stafi i SUOGJ Mbretëresha Geraldinë, gjithashtu nga shteti mori edhe bonusin prej 40 mijë lekë të rinj për fëmijën e parë ditën që kanë dalë nga spitali. Ka ku të shkojë më mirë se kaq? Ne të dritare.net i urojmë jetë të gjatë Elisit, djalit që erdhi i pari në jetë, kur u ndamë nga viti i vjetër dhe hymë tek i riu. Qofsh i mbarë, Elis për 2019 e gjithë shqiptarëve!/dritare.net